Meta takim me strukturat e PL në Durrës: Qyteti është shfrytëzuar për interesat e vetëm disa personave, asnjë qytetarë nuk ka përfituar

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim me strukturat e partisë në Durrës. Gjatë fjalë së tij Meta tha se nga Durrësi dhe asetet e tij, në vend që të përfitonin vetë qytetarët, përfitojnë ata të cilët po e shfrytëzojnë atë.

Meta u ndal edhe tek Projekti i Portit të Durrësit duke e cilësuar një aferë.

“Durrësi e ndjen më mirë se kushdo situatën e padrejtë në të cilën ndodhet çdo qytetar, pasi ky qark që duhej të ishte më i favorizuara për të ardhura, në fakt është në një pozitë tjetër.

Interesi ka qenë pasurimi nga Durrësi i atyre që e keqpërdorin për interesat e tyre.

Është një prioritet i PL krijimi i zonave të lira ekonomike në Durrës dhe në Shqipëri që të tërheqim investime direkte dhe indirekte.

Përveç Portit dhe Velierës që ka ngelë një gërmadhë dhe s’ka mbaruar akoma, çfarë ka prishur arkitekturën italiane, qyteti i dytë nga rëndësia, nuk ka një kinema, apo qendra inovacioni të dedikuara ku të rinjtë të zhvillojnë projektet e tyre.

Përmbytjet, problem madhor që prek çdo qytetar, të majtë e të djathtë, të Partisë së Lirisë apo pa parti. Çdo biznes lutet të mos bjerë shi, sepse këtu qyteti përmbytet me një pikë uji. Rilindja në Durrës më parë ndërton Marina korrupsioni e pastrimi parash, sesa kanalizimet për qytetarët e Durrësit mijëravjeçar.

Betonizimi pa kriter i qytetit, e ka lënë Durrësin pa parqe apo lulishte. Këtë më së miri e dinë prindërit me fëmijët e tyre, si dhe moshat e treta. Cilësia e jetës së një qyteti lidhet drejtpërdrejtë nga gjelbërimi, jo nga betoni, ndaj kuptohet dëmi që i bëhet çdo familje durrsake me këtë zhvillim jo të shëndetshëm.

Parku sportiv që durrsakët kanë nostalgji është bërë pallat e s’ka qendra trajnimi në sport.

E gjithë Shqipëria, jo vetëm i gjithë biznesi durrsak mund të jetonte shumë mirë falë potencialit turistik të bregdetit. Ndërkohë, të gjitha nismat e qeverisë për bregdetit kanë synuar grabitjen e pronave bregdetare, monopolin e ekonomisë së bregdetit, në vend të një zhvillimi të përgjithshëm që do ti sillte përfitime çdo Durrsaku e shqiptari.

Në Durrës ka makina por nuk ka një parkim publik për qytetarët, që të mos kalojnë ditën në stresin e parkimit e të gjobave. Si ka mundësi, kur bëhej fjalë për të shpërdoruar fondet e tërmetit, Rilindja në Bashki e Qeveri u dyndën në Durrës që të menaxhonin fondet, për interes të tyre kuptohet, ndërsa kur vjen puna që të zgjidhin problemet reale të qytetarëve e të gjithë qytetit nuk kujtohen.

Durrësi është rast unik dhe shembulli më i mirë që tregon dështimin dhe korrupsionin e Rilindjes.

Në 4 vitet e fundit, jo vetëm që Bashkia drejtohet 100% nga Rilindas, por edhe kryeministri Rilindas është deputet në Durrës. Pra, Durrësi duhet të lulëzonte nga vëmendja që institucionet publike duhet t’i dedikonin qytetit, banorëve, biznesit të tij.

Por ata, më shumë sesa shtëpi, që ta ndërtojnë siç duhet, e shohin Durrësin si çerdhen e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave”, tha Meta.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Formacionet zyrtare të Anglisë dhe Francës

Story i radhës

Takimi i nivelit të lartë SHBA-Afrikë

Të fundit nga