Meta njoftoi largimin e 11 mijë punonjësve ose afro 13% të fuqisë punëtore të kompanisë. CEO Mark Zuckerberg zbuloi lajmin në një postim në blog duke thënë se ishte faji i tij që ka qenë tepër optimist për të ardhmen e kompanisë bazuar në rritjen që solli pandemia.
“Në fillim të COVID bota u zhvendos me shpejtësi online duke forcuar industrinë e-commerce dhe nisur një rritje të ardhurash,” tha Zuckerberg.
“Shumë besuan se kishim të bëjmë me një rritje e cila do të ishte e përhershme dhe të vijonte edhe pas pandemisë. Edhe unë kështu besoja, kështu mora vendimin të rrisim investimet. Për fat të keq kjo nuk përfundoi ashtu siç e kishim pritur.”
Zuckerberg tha se kompania tashmë do të bëhej më efikase duke shkurtuar shpenzimet dhe stafin dhe zhvendosur më shumë resurse drejt hapësirave me rritje si reklamimi, inteligjenca artificiale dhe metaverse.
Largimet e sotme nga puna janë të parat që aplikohen në masë që nga themelimi i saj në 2004. Por pse Meta është goditur kaq rëndë? Një spirale ekonomike që përfshiu SHBA ka zhvlerësuar aksionet por e ardhmja e kompanisë është prekur edhe nga konkurrenca e fortë e rivalëve.
Ngritja e TikTok apo ndryshimet e Apple me politikat e privatësisë në iOS ka dëmtuar biznesin e Meta. Investimet në teknologji të reja si metaverse gjithashtu i kanë kushtuar shumë me 9.4 miliardë dollarë të humbura vetëm këtë vit.
Aksionet e Meta kanë humbur 70% të vlerës dhe si rezultat 700 miliardë dollarë nga vlera e tregut e kompanisë.
Meta nuk është e vetmja kompani që filloi me largimet nga puna. Salesforce, Snap, Twitter gjithashtu kanë marrë masa drastike.
/PCWorld Albanian