Nga New York-u ku po mbahet një takim me shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Edi Rama, teksa fliste për arritjet e qeverisë së tij në këtë dekadë, solli në vëmendje se “njerëz të veshur me pushtet ndodhen sot pas hekurave.”
Teksa dy liderë të opozitës ndodhen sot në arrest, por edhe disa figura të partisë që ia drejton, kreu i qeverisë theksoi se gjatë qeverisjes së tij njerëz që veshur me pushtet, qoftë majtas apo djathtas, i janë nënshtruar forcës së ligjit.
Dhe, përpos këtij realiteti, Rama u kujdes të kujtonte se ndryshe nga drejtësia në kohën e demokracisë së hershme në Shqipëri, apo disa vite më herët, drejtësia sot nuk orientohet dhe as nuk kontrollohet nga partia në pushtet.
“Të gjithë shqiptarët, edhe nëse nuk janë historianë, dinë aq histori sa të shohin që prej 2012, për herë të parë, njerëz të veshur me pushtet, i janë nënshtruar forcës së ligjit. Pavarësisht pozicionit apo lidhjeve të tyre me partitë politike, qofte në qeveri qoftë në opozitë… Të gjithë ata që janë dënuar më parë… Kanë qenë të dënuar politikë, të një drejtësie që ka qenë e urdhëruar nga partia në pushtet. Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon drejtësinë ka marrë fund. Dhe unë jam krenar që me votën e shqiptarëve, ne PS në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, që nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE, përpara se të hynin në BE….”, tha ai.
Reforma në drejtësi, siç u shpreh kryeministri, e realizuar në Shqipëri me votën e shqiptarëve dhe me PS-në pushtet, nuk është kryer në asnjë vend të anëtarësuar rishtazi në Bashkimin Evropian, përpara se t’i bashkoheshin familjes evropiane.
“Shqiptarët e kërkonin drejtësinë edhe më parë, por ajo ishte e nënshtruar nga pushteti. Po pse nuk e bërë në vende të tjera të rajonit SHBA këtë reformë, e cila në Shqipëri i fshiu prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Për të gjithë ata që duan ta shohin dhe ta dëgjojnë të vërtetën dhe për çdokënd që do të kuptojë çfarë ka ndodhur gjatë qeverisjes tonë, e vërteta është e qartë. Ajo është e shkruar në programin tonë të mandatin e parë, ku reforma në drejtësi ishte angazhimi kryesor. Më thoshin si e kam ndërmarr këtë angazhim se duhen shumë vota. Dhe unë iu thoja që duhet ta kthejmë në fiksimin tonë që pa shembur pallatin e padrejtësisë të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë vlerë. Kjo është një nevojë që i ka ardhur koha dhe ne do t’i përgjigjemi që më në fund çdo shqiptar ta kuptojë dhe ta prekë se ligji i barabartë për të gjithë është një realitet”, tha kryeministri Rama. /A2CNN/
Burimi: botasot.info