Lionel Messit thuhet se do t’i ofrohet një kontratë e re nga Paris Saint-Germaini pas përfundimit të Kupës së Botës “Katar 2022”.
Sipas “Goal”, klubi francez e ka njoftuar 35-vjeçarin se ai do të ketë në tavolinë ofertën e re, në të cilën përfshihet kontrata e re 2-vjeçare.
Messi nuk pritet të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij deri pas përfundimit të Kupës së Botës, pasi është i fokusuar vetëm te arritja e suksesit me Argjentinën.
Te PSG-ja thuhet se janë optimistë për shanset e tyre për të rinovuar me shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Messi ka gjithsej 12 gola dhe 14 asistime nga 19 ndeshjet me parisienët këtë sezon.
Kontrata e ish-sulmuesit të Barcelonës me PSG-në skadon më 30 qershor 2023.
Në marrëveshjen aktuale mes palëve ekziston opsioni që Messi të vazhdojë qëndrimin në “Parc des Princes” për së paku edhe një tjetër sezon.