Natalia Gadella Filgueiras, 20-vjeçarja që kishte tërhequr vëmendjen e mediave amerikane pasi mësoi të pilotonte avionin para se të merrte patentën e makinës, humbi jetën në një aksident tragjik ajror në Florida. Ajo ishte bashkëpilote në një avion privat që u rrëzua pranë West Palm Beach, ku humbën jetën të nëntë personat që ndodheshin në bord.
Natalia ishte rritur në Palm Beach, në një familje me prejardhje braziliane. Dashurinë për aviacionin e kishte zbuluar që në moshë të vogël, ndërsa në moshën 12-vjeçare kishte vendosur të bëhej pilote.
Në moshën 17-vjeçare pilotonte avion, por nuk kishte patentë për makinë. Ajo nisi mësimet e fluturimit në vitin 2020 dhe në tetor të vitit 2023 mori licencën e pilotes private. Historia e saj u bë e njohur në mediat amerikane, pasi vetë Natalia kishte deklaruar: “Njerëzit më thonë se nuk di të ngas makinën, ndërsa unë u përgjigjem se di të fluturoj”.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo vazhdoi studimet në shkollën e pilotimit “American Flyers”. Sipas familjarëve, deri në momentin e vdekjes kishte mbi 1.300 orë fluturimi. Ëndrra e saj ishte që një ditë të pilotonte avionë të mëdhenj pasagjerësh. Ajo punonte në kompaninë e fluturimeve private “Aper Jets”.
Avioni privat i tipit “Learjet 60”, ku Natalia ishte bashkëpilote, ishte nisur nga Austin i Teksasit drejt Bahamas. Rreth orës 12:50 sipas kohës lokale, avioni u rrëzua pranë një rruge të frekuentuar në Florida. Nga përplasja pasoi një shpërthim i fuqishëm, ndërsa të nëntë personat në bord humbën jetën.
Para rrëzimit, pilotët kishin raportuar për ngrirje të avionit dhe turbulenca të forta. Pak çaste më vonë, avioni nisi të humbiste lartësi me shpejtësi. Në komunikimin me kontrollin e fluturimeve dëgjohet edhe shprehja: “Po na mbaron koha”, ndërsa nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush i shqiptoi këto fjalë.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB) po shqyrton kushtet atmosferike, gjendjen teknike të avionit dhe veprimet e ekuipazhit. Deri më tani nuk është përcaktuar shkaku i saktë i tragjedisë.
Burimi:TV21


