Mesazhi i Bidenit: Mbështesim Shqipërinë për lidership më të madh në rajon

November 7, 2022
min lexim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të thellojnë partneritetin strategjik me Shqipërinë dhe do ta mbështesin atë të marrë rol më të madh lidershipi në rajon.

Kështu thuhet në mesazhin që presidenti amerikan, Joe Biden, u ka dërguar presidentit shqiptar, Bajram Begaj, dhe kryeministrit Edi Rama, me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Letra e kreut të Shtëpisë së Bardhë iu dorëzua krerëve të shtetit shqiptar, më 7 nëntor, nga përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield.

“Ne dëshirojmë ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi në rajon, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë, si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, vazhdon letra, ku vlerësohet edhe ndihma e Shqipërisë për strehimin e shtetasve ukrainas dhe atyre afganë.

Edhe ambasadorja Thomas-Greenfield vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.

Ambasadorja vizitoi Shqipërinë më 6 dhe 7 nëntor, ndërsa vazhdon vizitën në Poloni më 8 dhe 9 nëntor.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Tiranë qëllimi i këtyre vizitave është përsëritja e mbështetjes për këto dy vende aleate, të vendosura për të punuar së bashku me SHBA-në për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të votojë një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia, më 25 shkurt, vetëm një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj.

SHBA-ja dhe Shqipëria me grup pune për sigurinë kibernetike

Në letrën Bidenit përmendet edhe sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërsië.

“SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike. Ne kemi dërguar në Tiranë ambasadorin Nate Fick dhe një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë për të asistuar koordinatorin tuaj të ri të sigurisë kibernetike në kuadër të një plani afatgjatë”, thuhet në letrën e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Prej korrikut të këtij viti, sistemet qeveritare në Shqipëri kanë qënë nën sulmin e hakerave iranianë. Kjo solli bllokim të disa sistemeve dhe ndërprerje të punës së disa institucioneve.

Të dhëna sensitive në lidhje me punonjës të policisë së shtetit apo edhe të Shërbimit Informativ Kombëtar janë duke u shpërndarë prej disa kohësh nga hakerat përmes aplikacionit Telegram.

Shqipëria ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Presidenti Begaj: OKB-ja ta njohë Kosovën

Në njoftimin për mediat të shpërndarë nga Presidenca për takimin me ambasadoren Greenfield, nënvizohet se presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, nisur nga zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai i kërkoi ambasadores amerikane në OKB, që ky organizëm ta njohë Kosovën.

“Është shumë e rëndësishme që OKB të njohë progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor e demokratik, por edhe për kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, të pranuar tashmë nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të organizatës”, ka thënë ai.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Ronaldo nuk është më më i forti në Manchester United

Story i radhës

Pse 3 konsiderohet numri i përsosur?

Të fundit nga

ShkoLartë