Mes shiritit të kapitenit, leksionit për të gjithë ekipin pas humbjes në Bolonjë dhe golave të shumtë të shënuar që kur është shpallur kampion bote, 2023-shi i Lautaro Martinezit ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Argjentinasi është protagonist absolut tek Interi, por tashmë pas dy muajsh zikaltrit duhet të mësojnë të jetojnë edhe pa të.
Skuadra e Inzagit duhet të shkëputet nga varësia që ka treguar nga sulmuesi, i cili ka shënuar me breshëri, por që duket se nuk i ka shpatullat e mbuluara nga shokët e tij, kur ai vetë nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës. 6 gola në 8 javët e fundit të kampionatit për “Demin”, i cili ka tri ndeshje që nuk ka shënuar, e ka ndëshkuar Interin me vetëm një pikë dhe dy humbje.
Pas Botërori, Lautaro ka qenë fantastik, pasi firmosi Superkupën kundër Milanit, dërgoi në shtesë ndeshjen e 1/8-ave të Kupës së Italisë me Parmën, ku u sigurua kualifikimi dhe shënoi gjashtë herë në kampionat. Idhulli i tifozëve ka qenë udhërrëfyesi i skuadrës së Inzagit për një muaj të plotë pasi që nga 14 janari deri më 13 shkurt, asnjë lojtar tjetër zikaltër nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës në Serinë A, veç 25-vjeçarit.
Vërtetë të gjitha këto tregojnë nivelin e tij si një kampion, por në një skuadër si Interi edhe të tjerët rreth tij duhet të jenë në të njëjtin nivel, me synimet e klubit që janë gjithmonë majat.
Për këtë varësia nga një lojtar i vetëm ka rezultuar fatale për zikaltrit, që duket se nuk mund të mbështeten tek askush tjetër për të gjetur fitoret.