Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka pranuar se ka pasur dështime në politikën ndaj Rusisë në kohën kur ajo ishte në krye të qeverisë gjermane.
“Duhet të kishim reaguar më shpejt ndaj sjelljes agresive të Rusisë”, tha Angela Merkel për numrin e kësaj jave të Die Zeit.
Ajo iu referua përmbajtjes së Gjermanisë kur bëhet fjalë për alokimet e mbrojtjes, të cilat nuk përputheshin me përqindjen e dakorduar të alokimeve në nivel të NATO-s.
“Gjermania nuk e arriti asnjëherë ndarjen e dakorduar prej dy për qind për mbrojtjen dhe as unë nuk e shtyva shumë për këtë,” tha Merkel.
Ajo deklaroi se i vjen veçanërisht keq që nuk ka marrë një qasje më të fortë për forcimin e Bundeswehr-it pas aneksimit rus të Krimesë në vitin 2014, pas së cilës anëtarët e NATO-s ranë dakord të ndajnë dy për qind për mbrojtjen.
Ajo gjithashtu mbrojti marrëveshjen e Minskut, e cila, sipas saj, duhej të parandalonte luftën që megjithatë filloi në fillim të këtij viti.
“Ne duhet t’i shikojmë këto gjëra nga këndvështrimi i sotëm. Në fillim të vitit 2015, Rusia mund të pushtonte lehtësisht Ukrainën. Unë gjithashtu dyshoj se NATO mund ta kishte ndihmuar Ukrainën në masën që e bën sot”, tha Merkel në një intervistë për Die Zeit.
Në të njëjtën kohë, Merkel nuk e konsideron gabim dhënien e lejes për ndërtimin e gjurmës së dytë të gazsjellësit Rrjedha e Veriut.
“Ndalimi i projektit do të përkeqësonte ndjeshëm marrëdhëniet me Rusinë”, tha ish-kancelarja gjermane.
Ajo shtoi se rritja e varësisë së Gjermanisë nga gazi rus nuk është vetëm rezultat i projektit të përbashkët gjermano-rus Nord Stream, por edhe fakti se “më pak gaz vinte nga Norvegjia, Britania e Madhe dhe Holanda”.
Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, shumë e akuzuan kancelaren gjermane për dështime në marrëdhëniet me Rusinë në vitet e fundit, dhe veçanërisht për varësi të tepruar nga gazi rus. /tesheshi.com/
Burimi: GAZETA.MK