Mënyra si lëvizin sytë tuaj mund ta parashikojë personalitetin tuaj

July 19, 2023
min lexim

Ekzistojnë një mori tiparesh të ndryshme, për të cilat njerëzit pohojnë se mund të parashikojnë personalitetin tuaj – shenja juaj e horoskopit, dorëshkrimi juaj, shija e preferuar e akullores – por vetëm disa prej tyre janë të bazuara në shkencë. Standardi i artë për testet e personalitetit, thënë shkencërisht, njihet si modeli “Big Five” (Pesëshja e madhe). Hulumtuesit kohët e fundit ia dolën që inteligjenca artificiale t’i afrohet një hap më afër parashikimit të të paktën katër prej këtyre pesë tipareve të personalitetit tek individët, pa iu nënshtruar ata testit. E gjitha varet nga mënyra se si i lëvizin sytë.

Më shiko në sy

Pesë tiparet e mëdha të personalitetit e përfshijnë sinqeritetin, ndërgjegjen, ekstraversionin, pajtueshmërinë dhe neuroticizmin. Në një studim të publikuar në revistën “Frontiers in Human Neuroscience”, Tobias Loetscher nga Universiteti i Australisë së Jugut dhe kolegët e tij treguan se si metoda e tyre e përcjelljes së syve i parashikoi me sukses katër prej këtyre pesë vetive (përveç sinqeritetit), plus diçka që quhet “kuriozitet perceptues”, ose tendenca e një personi për t’i hulumtuar pamjet e reja, tingujt, apo stimulimet e tjera shqisore.

Mund të duket e pabesueshme, por përdorimi i lëvizjes së syve për ta gjykuar personalitetin nuk është aq i parealizueshëm. Në fund të fundit, sigurisht e keni kuptuar se një i huaj me sy që lëvizin shpejt ishte pak neurotik, ose keni arritur në përfundimin se një i njohur të cilit i pëlqen kontakti i zgjatur me sy është ekstrovert. Hulumtimi i kaluar e mbështet këtë: një studim tregoi se optimistët do të shpenzojnë më pak kohë duke shikuar imazhe të rënda mjekësore sesa pesimistët, dhe një tjetër tregoi se njerëzit me sinqeritet më të madh kalojnë më shumë kohë duke i shikuar vendet në animacionet abstrakte.

Problemi, shkruan Loetscher dhe ekipi i tij, është se këto studime thjesht treguan se disa tipare të personalitetit ishin të ndërlidhura me lëvizje të caktuara të syve. Por çka nëse lëvizja e syve tuaj në fakt mund t’i parashikojë tiparet tuaja të personalitetit? Kjo mund të hapë shumë mundësi, sidomos në fushën e robotikës. Nëse robotët mund t’i shikojnë sytë tuaj për të ditur se çfarë lloj personi jeni, ata mund të jenë në gjendje ta përshtatin sjelljen e tyre në proces dhe ta krijojnë një përvojë më të mirë për ju, përdoruesin.

Lëvizja e shpejtë e syve (sakada)

Për studimin, hulumtuesit kërkuan nga 42 studentë që ta plotësonin një test personaliteti për t’i vlerësuar “pesë tiparet e mëdha” të personalitetit të tyre, pastaj të mbanin syze të mençura që i ndjekin sytë, ndërkohë që e kryenin një detyrë të dizajnuar për ta imituar një skenar nga jeta reale: ecja nëpër kampus dhe vizita një dyqani. Pastaj ekipi i futi ato të dhëna në një algoritëm makinë-mësues, i cili i bëri llogaritjet dhe krijoi korrelacione midis tipareve të personalitetit të pjesëmarrësve dhe mënyrës sesi lëviznin sytë.

Syzet e monitoruan një larmi të gjerë të lëvizjeve të syve, përfshirë vendin ku shikonin pjesëmarrësit, madhësinë e bebëzave të tyre, numrin dhe llojin e sakadave – lëvizje këto të shpejta të syve në mes të pikave të fiksimit, si mënyra se si shikimi juaj mund të fluturojë para dhe prapa në mes syve të dikujt kur bëni kontakt me sy. Algoritmi zbuloi se lloje të caktuara të personaliteteve mund të karakterizohen nga lloje të caktuara të lëvizjeve të syve. Për neuroticizmin, e gjitha ka të bëjë me shpejtësinë e kapsitjes; për ndërgjegjen, e gjitha ka të bëjë me shpejtësinë e sakadave. Pajtueshmëria mund të parashikohej nga ajo se sa një person shikonte në fundin e djathtë të një skene, ndërsa ekstroversiteti fokusohej në madhësinë e bebëzave dhe numrin e sakadave të vogla. Kurioziteti perceptual ishte i lidhur me ndryshimin në madhësinë e bebëzave të një personi.

Këto, sigurisht, janë të gjitha thjeshtësime – algoritmi ka punuar me një përzierje komplekse faktorësh për t’i bërë parashikimet e tij. Fuqia e këtyre parashikimeve nuk është aq e mahnitshme: vetëm shtatë deri në 15 për qind më mirë se rastësia. Por është një studim i vogël, dhe Loetscher ka shpresa për të ardhmen. “Të mësuarit e makinës zakonisht kërkon mijëra ose miliona të dhëna për të bërë parashikime shumë të sakta”, tha ai për New Scientist. “Presim të përmirësohet shumë më shumë”. Kur të përmirësohet, duhet të merret parasysh etika – bazuar në faktin që kompania e analizës së të dhënave Cambridge Analytica po i shënjestronte turpshëm njerëzit me reklama politike bazuar në personalitetin e tyre, parashikimi më i avancuar i personalitetit mund të shkaktojë më shumë probleme.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Parashikimi i motit për sot, temperatura të larta

Story i radhës

8 rregulla të zyrës që i nervozojnë të gjithë

Të fundit nga

ShkoLartë