Nuk është vetëm puna manuale që mund të lodh dikë, por edhe shumë mendim. Përqendrimi dhe puna mendore për disa orë krijon gjithashtu një ndjenjë lodhjeje, thonë shkencëtarët francezë, të cilët kanë gjetur prova të reja që shpjegojnë pse ndodh kjo. Siç theksojnë ata, ndjenja e lodhjes për shkak të të menduarit intensiv nuk është diçka imagjinare që ekziston vetëm në mendjen e dikujt, por është diçka shumë reale dhe vjen si pasojë e grumbullimit të “toksinave” në tru.
Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Mathias Pesiglione nga Universiteti Pitié-Salpêtrière në Paris, i cili bëri botimin përkatës në revistën e biologjisë “Current Biology”, zbuluan se orët e gjata të punës konjitive krijon nënprodukte toksike (kryesisht glutamat) në korteksin paraballor të trurit. Kjo nga ana tjetër sjell ndryshime në kontrollin që ka dikush mbi vendimet e veta, me rezultat që gradualisht të kthehet në veprime me “kosto” të ulët që nuk kërkojnë shumë përpjekje.
“Teoritë me ndikim kanë argumentuar më parë se kjo lodhje është një lloj iluzioni i krijuar nga truri për të ndaluar atë që po bëjmë dhe për të kaluar në një aktivitet më shpërblyes. Por gjetjet tona tregojnë se puna njohëse rezulton në një ndryshim të vërtetë funksional, një akumulim të substancave toksike, me rezultat që ndjenja e lodhjes është një sinjal që do të na bëjë të ndalojmë së menduari, por për një arsye tjetër: të ruajmë integritetin e funksionit të trurit”, tha Pesiglione.
Ndërsa makinat mund të kryejnë vazhdimisht llogaritjet, truri i njeriut nuk mundet. Lodhja e tij lidhet me nevojën për të ricikluar substanca toksike që vijnë nga aktiviteti kognitiv neuronal, siç tregohet nga studimi i ri, i cili regjistroi – duke përdorur spektroskopinë magnetike – kiminë e trurit gjatë ditës.
U ekzaminuan dy grupe njerëzish: një që mendonte shumë dhe një që mendonte lirshëm. Shenjat e lodhjes, si zvogëlimi i zgjerimit të bebëzave, u panë vetëm në grupin e parë që mendoi shumë. Njerëzit në të njëjtin grup kishin gjithashtu nivele më të larta të glutamatit në sinapset e korteksit paraballor. Ngritja e glutamatit e bën më të vështirë kontrollin kognitiv pas shumë të menduari.
Zgjidhja ndaj ndjenjës së lodhjes së trurit është, sipas studiuesve, pushimi dhe gjumi. Ata madje rekomandojnë shmangien e vendimeve të rëndësishme kur dikush është i lodhur pas punës së vështirë mendore.