Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka vazhduar me ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” për futbollistin më të mirë, kësaj radhe të xhiros së 16 të Superligës së Kosovës .
“Yllin e Javës” këtë herë e fiton futbollisti meksikan i Llapit, Francisco Rivera, i cili pati një paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e fundit kundër Ballkanit.
Llapi e mposhti si mysafirë Ballkanin me rezultat të thellë 4:1, ndërsa njëri nga më të mirët e ndeshjes ishte Francisco Rivera me dy gola të shënuar.
Pasi që e pranoi çmimin në fjalë, Rivera u shpreh tejet i lumtur që arriti ta ndihmojë skuadrën e tij që ta mposht kampionin e Kosovës, Ballkanin.
“Jam i lumtur që e ndihmova ekipin tim për të realizuar fitore ndaj një ekipi të madh si Ballkani. Fitorja është rezultat i punës dhe angazhimit që po e bën i tërë ekipi çdo ditë”, tha Rivera.
“Besoj se jemi në rrugën e duhur për të realizuar fitore tjera, në mënyrë që të luftojmë sërish për kreun e tabelës, siç kemi bërë çdo vit tjetër”, shtoi më tej meksikani.
Pas fitores 4:1 kundër Ballkanit, Llapi pozicionohet në vendin e pestë në tabelë në kuotën e 19 pikëve.