Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po paraqiten mirë me ekipet e tyre në Europë dhe natyrisht vëmendjen kryesore e kanë lojtarët që janë në Itali, në të dy ligat elitare të futbollit italian, ku luan një kontigjent i madh në numër dhe i spikatur i lojtarëve shqiptarë. Nuk është rastësi që i gjithë stafi i përfaqësueses i ka sytë nga ky kontigjent. Nga ana tjetër, në Spanjë po shtohet së tepërmi grupi i lojtarëve shqiptarë dhe një pjesë kanë arritur nivele të larta në performancën e tyre. Kështu, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Keidi Bare e disa të tjerë kanë preferuar jo vetëm të luajnë në Spanjë, por edhe të paraqiten në nivele të larta atje duke lënë gjurmë me gola, asiste dhe rol lideri në ekipet respektive.
Medon Berisha lojtar në rritje
Medon Berisha ka qenë përsëri titullar me skuadrën e Leçes në Serinë A, duke u konfirmuar ai tashmë në rreshtim dhe jo Ylber Ramadani, i cili ka përfunduar në pankinë. Një besim që i është dhënë nga trajneri Marko Xhampaolo, të cilin mesfushori i Kombëtares e ka falënderuar publikisht pas ndeshjes me Lacion. “Unë po rritem shumë, trajneri po më jep shumë besim. Pas ndeshjes ishim të zhgënjyer, kemi bërë një ndeshje të madhe. Vuajtëm shumë, por ishim të bashkuar deri në fund”, thotë ai. Medoni është parë të jetë titullar që kur ekipin e Leçes e ka marrë në drejtim Marko Xhampaolo. Për minutat e marra këto ndeshjet e fundit, ai thotë: “Unë jam mirë, kam marrë minuta dhe po përmirësohem. Mund të përmirësohesh çdo ditë, në shumë aspekte. Nuk ka një aspekt specifik, por e di që duhet të rritem dhe të marr më shumë eksperiencë”, shpjegon Berisha.
Mesfushori i cili është i gatshëm të bëjë çdo rol në mesfushë, pyetet nga gazetarët se si ndihet në pozicionet që trajneri e ka vendosur atë në fushë. “Kam bërë trekuartistin dhe lojtarin që luan mes qendrës dhe krahut, mund të bëj edhe mesfushorin e qendrës. Momenti është shumë i rëndësishëm, pasi na presin tre përballje direkte në ndeshjet e radhës. Kemi treguar se jemi një skuadër e fortë, do të japim gjithçka për të arritur objektivin tonë”, shtoi djaloshi i cili pritet të vazhdojë të jetë titullar te Leçe në këtë sezon. Në kualifikueset e Botërorit, Berisha do të kërkojë një vend titullari edhe në ekipin kombëtar.
Uzuni merr vëmendjen e dy klubeve të mëdha në merkato
Myrto Uzuni po spikat me Granadën në këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është kthyer në idhullin e tifozëve, ndërsa qëndron si lojtari i huaj që ka shënuar më tepër gola. Për këtë dhe ka tërhequr vëmendjen, pasi dy klube raportohet të jenë pas tij. Bëhet fjalë për Sitëll Saunders në Amerikë si dhe Seviljan. Këto të fundit janë treguar dhe më herët si klubi që kërkon Uzunin në skuadër.
Ndërkohë një aventurë në MLS do të provohej për herë të parë nga sulmuesi shqiptar. Kontrata e 29-vjeçarit me Granadën përfundon në verën e vitit 2026. Për këtë klubi spanjoll mund të përfitojë disa milionë euro nga shitja e kartonit. Katër milionë euro u shpenzuan tre vite më parë për blerjen nga Ferencvarosh. Dhe çfarë duhet thënë është se Uzuni po kalon një formë mjaft të mirë.
Burimi: botasot.info