Ukraina ka dhënë përditësimin e saj të fundit mbi numrin e humbjeve që ka pësuar Rusia që nga fillimi i luftës.
Në këtë drejtim, autoritetet e këtij vendi pretendojnë se 80,210 trupa ruse janë vrarë dhe janë shkatërruar 5,730 automjete të blinduara të personelit, përcjell Telegrafi.
Pajisjet e tjera ushtarake që janë zhdukur përfshijnë 278 avionë, 261 helikopterë dhe 2,838 tanke.
Mediumi prestigjioz Sky News thotë se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Ndërkohë mediat raportojnë se oficerët e policisë dhe transmetimet ukrainase janë kthyer në qytetin jugor të Khersonit pasi trupat ruse u tërhoqën nga rajoni.
Mbikëqyrësi i komunikimit i vendit tha se transmetimet kombëtare televizive dhe radio kishin rifilluar në qytet dhe një këshilltar i kryebashkiakut të Kherson tha se ndihmat humanitare dhe furnizimet kishin filluar të mbërrinin nga rajoni fqinj i Mykolaiv.
Drejtori i Khersonoblenergo, ofruesi i energjisë në rajon i paraluftës, tha gjithashtu se energjia elektrike po kthehej “në çdo vendbanim në rajonin e Khersonit menjëherë pas çlirimit dhe marrjen e lejes së detyrueshme nga ushtria”.
Këta hapa vijnë pasi ushtria ukrainase po kryen “masa stabilizimi” pranë qytetit jugor sot pas përfundimit të një pushtimi tetë-mujor nga forcat ruse.
Shefi i Policisë Kombëtare të Ukrainës, Ihor Klymenko, tha në një postim në Facebook sot se rreth 200 oficerë ishin në punë në qytet, duke ngritur postblloqe dhe duke dokumentuar prova të krimeve të mundshme të luftës. /Telegrafi/
Burimi: GAZETA.MK