Hera e fundit që Hazbija Aganoviq vizitoi varrin e vëllait të saj që ka rënë dëshmor në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë, ishte tri vjet më parë.
Vizitat e saj në Kosovë u pakësuan si pasojë e regjimit të vizave që ekziston për qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje e Hercegovinës.
Aganoviq: Nuk mund të shkoj te varri i vëllait në Kosovë
“Vështirë është, dikush që ka flijuar jetën – ai është vëllai im, nga loçka e zemrës, e unë mos të mund të shkoj të varri i tij ka qenë e vështirë për mua”, thotë ajo në një bisedë nga Sarajeva.
E lindur dhe e shkolluar në Kosovë, Hazbija ishte shpërngulur në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1986. Ajo nuk ka mundur asnjëherë të pajisjet me dokumente të Kosovës.
Në Sarajevë jeton vetëm me bashkëshortin e saj… dhe mallin e përditshëm për nipat, mbesat dhe vëllain tjetër që jetojnë në Kaçanik të Kosovës.
Për lëvizje të lirë – pa regjim vizash – në Ballkanin Perëndimor ishte rënë dakord gjatë një takimi të mbajtur në kuadër të procesit të Berlinit, në fund të vitit 2022.
Menjëherë në muajin shkurt të vitit 2023, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen.
Por njëjtë nuk ndodhi edhe në BeH. Heqjen e vizave atje nuk po e lejojnë zyrtarët Republikës Sërpska – deputetët e së cilës, në qershor të vitit të kaluar, e bllokuan marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime.
Kjo çështje u riaktualizua ditë më parë në samitin e Procesit të Berlinit ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët me letërnjoftime të Bosnje e Hercegovinës.
Nga Qeveria e Kosovës besojnë se ky vendim do të rrisë mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit në fusha të ndryshme.
“Shpresojmë se Bosnja dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes. Ne besojmë se ky vendim do të rrisë ndërveprimet midis dy vendeve, do të rrisë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim.
Ky lajm ka gëzuar të gjithë ata që kanë mbetur të ndarë fizikisht për vite të tëra me familjarët e tyre, në të dy vendet.
Aganoviq: Lëvizja e lirë në Kosovë, gëzim i madh
“[Me të dëgjuar lajmin] E pash vetën në rrugë për në Kosovë…Gëzim aq të madh ka kohë të gjatë që nuk kam pasur, sepse është shumë e vështirë dikush të ta mbyll derën e shtëpisë, ashtu e kam ndier veten, ne që nuk kemi pasur dokumente të Kosovës, por të Bosnjës, kemi qenë të dënuar, ka qenë dënim për ne, e ky është një gëzim tepër i madh, një liri e madhe”, thotë ajo.
Aganoviq: Mezi e pres 1 janarin, të shkoj në Kosovë pa pengesa
“Vajza e vëllait që është në Kosovë më tha ‘hallë natën e vitit të ri festoje në autobus, më 1 janar të pres në stacion’, shumë më ka lënë përshtypje kjo fjali e vajzës së vëllait, edhe ato janë me mall [për mua]…Një gëzim të madh e kam pasur dhe mezi e pres 1 janarin, e di që pa kurrfarë pengese mund të shkoj t’i përqafoj [familjarët] të ndiej erën e tokës së Kosovës së pari, e t’i përqafoj familjarët”, shton ajo.
Pavarësisht vendimit të Kurtit, pak kush beson se lëvizja e lirë do të lejohet edhe për qytetarët e Kosovës që synojnë vizitat në BeH.
Aganoviq: Që 20 vjet askush nga familja që jeton në Kosovë nuk ka mundur të më vizitojë në Sarajevë
“Që 20 vjet askush prej familjes sime nuk ka ardhur këtu, si i ka vendosur Bosnja vizat për kosovarët. Nënën e kam pasur këtu, nëna më ka vdekur para tri vitesh e ndjera, nuk ka mundur askush të vijë, sepse nuk lejojnë të vijnë [lirshëm] kosovarët këtu [në Bosnje]…Vëllai ka tentuar të vijë kur ka vdekur nëna, për varrim, nuk ka mundur të marrë vizë, nuk japin, kështu çka të them, vetëm mund të them që nuk ja dëshiroj askujt këtë rast ta përjetojë sepse është shumë e vështirë të mos mund të vinë familjarët, as ti të mos mund të shkosh te familjarët”, thotë Hazbija Aganoviq e cila thekson se problemi vjen nga RS, meqë siç thotë ajo “sa i përket Bosnjës, moti e kishte pranuar Kosovën”.
BeH nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kundërshtimit që bëhet nga RS.
Elvira Dushi, kryetare e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje e Hercegovinë, thotë se imponimi i vizave kishte rënduar jetën e qytetarëve që mbetën të ndarë fizikisht me familjarët e tyre.
Dushi: Kosova është për zbatim të marrëveshjeve
“Ky vendim [i Qeverisë së Kosovës] ka treguar ka treguar një forcë të Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe demokratik, sidomos në këto aktualitete politike, duke treguar një fuqi të jashtëzakonshme dhe duke treguar para syve edhe të shteteve të regjionit edhe të shteteve në nivel ndërkombëtar që Kosova është duarhapur për zbatimin e marrëveshjeve në të cilat ka vendosur nënshkrim”, thotë ajo.
Ajo gjithashtu bën të ditur se procesi deri të pajisja me vizë ka qenë i ndërlikuar dhe i kushtueshëm për secilin qytetar.
Dushi: Në çdo takim e kemi theksuar rëndësinë e lëvizjes së lirë
“Këtë gjest kryeministri i Kosovës më së shumti besojmë që e ka bërë edhe nga ana njerëzore sepse në çdo takim që e kemi bërë me persona zyrtarë, në takime jo zyrtare e zyrtare, është cekur rëndësia që së paku të hapen kufijtë e Republikës së Kosovës së paku ndaj kosovarëve që jetojnë në Bosnje e Hercegovinë… Ka familje nga Kosova që nuk kanë ardhur në Bosnje me dekada të tëra, por shpresojmë që lajme të tilla do të dëgjojmë shumë më shumë deri në miratim të plotë të dyanshëm të marrëveshjes së Berlinit”, thotë ajo.
Dushi: Familja ime nuk ka qenë në Bosnje për më shumë se 20 vjet
“Edhe familja ime nuk ka qenë në vizitë në Bosnje e Hercegovinë më shumë se 20 vjet. Ka raste që nuk janë parë edhe më gjatë, as prej Bosnjës në Kosovë, as nga Kosova në Bosnje, ka pasur raste kur nuk janë përcjellë rastet e vdekjeve, nuk janë përcjellë gëzimet, si martesat, ose raste të tjera familjare, këto kanë ndikuar shumë në perceptimi ne situatës aktuale”, shton Dushi.
Mulaim Kaqka i cili jeton në Prizren, është gëzuar që tani do të mund të pres në Kosovë familjarët dhe shoqërinë e tij që jetojnë në BeH.
Megjithatë, ai nuk pret që kufiri i Bosnjës “do të hapet” edhe për të dhe kosovarët e tjerë që dëshirojnë të shkojnë në Bosnje.
Kaqka: Më shumë se 15 vjet po e presim këtë lajmin për lëvizje të lirë
“Më shumë se 15 vjet që njerëzit në Bosnje e presin, dhe ne kosovarët po presim përgjigjen e njëjtë dhe menjëherë kur kam lexuar lajmin e kam dërguar atje në Bosnje që kam familjen dhe që kam kolegë, shoqërinë atje, ata janë shumë të befasuar pozitivisht… Deri tani shumë projekte, shumë lidhje familjare, shumë çështje për kulturën nuk kanë ndodhur për arsye të problemit që e kemi pasur 15 vitet e fundit. Besoj që të gjitha projektet që i kemi pasur, lidhjet familjare… do të ringjallen dhe do të aktivizohen ata edhe në fushën e kulturës, fushën familjare dhe fushën e biznesit”, u shpreh Kaqka.
Kaqka, i cili është profesor i logopedisë, e ka kryer shkollimin universitar në Bosnje e Hercegovinë.
Kaqka: Që 6 vjet nuk kam shkuar në Bosnje
“Unë kam jetuar atje më shumë se 10 vjet dhe kam mbaruar edukimin atje, në atë kohë ka qenë tepër vështirë me pasaportë të UNMIK-ut me viza gjithmonë ka qenë vështirë kalimi i kufirit atje, kam pasur qindra pyetje pse kaq ke me qëndruar atje, por unë kam insistuar dhe ajo trauma diplomatike në atë kohë ka mbijetuar. Dhe pasi e kam përfunduar shkollimin më nuk kam shkuar”, theksoi Kaqka.
Shumë aktivitete kulturore janë pamundësuar për shkak të procedurave burokratike që artistët është dashur t’i kalojnë për të ardhur në Kosovë, thotë kryetari i Shoqatës kulturore-artistike të komunitetit boshnjak “Sharski Behar”, Edis Mustafi nga Prizreni.
Mustafi: Liria e lëvizjes, lajm i mirë për aktorët, sportin e rininë
“Ka shumë aktorë që kemi pasur pengesë, që kanë pasur shumë dëshirë të vijnë në Kosovë por për shkak të vizave ata nuk kanë pas kohë të merren me procesin e vizave në Podgoricë. Por është një lajm super i mirë edhe për aktorë, për rininë, për sport e kulturë sepse kultura na lidh të gjithëve”, tha ai.
Hazbija Aganoviq pret që viti i ardhshëm të jetë krejt ndryshe për të dhe familjarët e saj në Kosovë.
Siç nuk ka ndodhur shpesh, tani ajo pret që të mos mungojë në përvjetorin e rënies së vëllait të saj, Kadri Trena, që shënohet në muajin prill.
Aganoviq: Përvjetorin e radhës të rënies së vëllait do të jem në Kosovë
“9 prilli kur është dita e dëshmorëve, që ka homazhe për dëshmorët, në ditën e rënies, ato ditë kanë qenë të rënda për mua, tani shpresoj që këtë 9 prill [të vitit të ardhshëm], atje do të jem”, thotë ajo.
Burimi: botasot.info