Në një kohë që Qeveria ka miratuar në vendim të posaçëm për sekuestrimin e pallateve apo kateve pa leje, ndërkohë që do u ofrojë mundësi ndërtuesve pa leje që t’i parablejnë ato, një rast i ‘goditjes’ së ligjit për ‘hallexhinjtë’ ka ndodhur në Nartë të Vlorës.
Një e moshuar është shoqëruar me forcë në komisariat nga Policia e Shtetit, pasi ajo ka ndërtuar në kotec pulash në oborrin e saj.
Pas denoncimit nga fqinja e saj, Policia ka “zbarkuar” banesën e të moshuarës dhe e kanë marrë me forcë.
81-vjeçarja, e cila jeton e vetme, u shpreh se ka frikë të dalë nga shtëpia jo vetëm nga policia por edhe nga fqinjët, me të cilët ka konflikt prej vitesh për pronën.
“Na denoncoi fqinja. Policia më mori me forcë. Çfarë i mora unë asaj, ajo më mori tokën time. Ma goditën me gurë burrin tim të ndjerë, i dëmtuan këmbën dhe pastaj më mori tokën. Më prishën gardhin. Ndërtimi është bërë në tokën time, e kemi fituar gjyqin. Toka është vjehrrit e kam me dokumente”, tha e moshuara.
Ndërkohë që gjatë aksionit të Qeverisë, Zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi kanë dhënë prononcime para pallateve shumë katëshe të cilët kanë ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit, ndërkohë që kanë pohuar se pronarët e tyre do të mund t’i parablejnë për t’i shpëtuar ndjekjes penale.
Ndërkohë që në aksionin e parë, Belinda Balluku ka theksuar habinë se si është ndërtuar një pallat 8 katësh në Farkë dhe askush nuk e kishte parë atë.