“Me bukë e kripë”, kështu e përshkruan tryezën e familjes së tij, Azem Bilalli nga Vranjevci i Prishtinës. Gjashtëdhjetë vjeçari rrëfen se po përpiqen të mbijetojnë me vetëm 100 euro ndihmë sociale në muaj – shumë kjo që nuk po u mjafton as për gjëra elementare.
Kryefamiljari rrëfen jetën e vështirë dhe mjerimin në të cilin po kalon, bashkë me katër anëtarë tjerë të familjes. Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm, kjo familje po kërkon ndihmë nga shteti njerëzit të vullnetit të mirë.
“Kushtet jo të mira, disi po ja dalim. Me një social 100 euro çfarë mund të bëjë njeriu. Dje, pardje u mundova disa hekura t’i mbledh por trupi nuk punonte. Duhet të qëndroj shtrirë, prej shpinës, prej të gjithave, prej moshës nuk mund të punoj më. Njëqind euro veç barna nuk dalin. Gruan e kam me diabet, nëna është shtritë, e paralizuar, po duhet me barna. Se di çfarë të them tjetër”, rrëfen ai.
Gjatë gjithë rrëfimit të tij, Azemi tregon se si nuk po arrin asnjëherë të mbush sofrën me ushqim.
“Me bukë e kripë, me çka ta kalojë muajin me tjetër gjë. Për tjerat nuk po mjaftojnë. Deri tash merrja në dyqan veresi, tash nuk po japin sepse po e dinë që as vet nuk po mund të marrë, se nuk po mundem t’i paguaj e të ia dalë. Boll vështirë, veç jam mbështetur te i lumi Allah edhe sabrin e kam tepër të fortë, sabër bëj”, shton ai.
Gjithçka është bërë më e vështirë edhe me rritjen e çmimeve, ku familja Bilalli nuk po arrin të bëjë jetë normale.
“Më e zorshme është bërë shumë se nuk ja dalim t’i blejmë ato gjëra. Në qoftë se nuk bën diçka shteti që t’i rritë pagat, socialin e pensionet, bëhet diçka, por ata nuk janë duke i rritur hiç, çfarë të bëjmë me 100 euro. S’ki çka bën. Po duhet kafshatën e gojës sime me e lënë për atë djalë edhe si me i mbajt për shembull. S’di çfarë të them unë më shumë. Kripë, gjëra ushqimore, çfarë mund të arrijmë. Kurrgjë, në xhep mundesh me i shti ato gjëra. Nuk po mund të ja dalim, veç te lumi Allah jam mbështetur edhe njerëzit e mirë që po më ndihmojnë, aty e kam shpresën më të madhe”, përfundon Bilalli.
Ngritja e çmimeve ka prekur edhe shumë familje të tjera në nevojë, të cilat mezi po arrijnë të sigurojnë jetesën.
Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës thotë se janë shtuar ankesat e këtyre familjeve.
“Për momentin tek ne, përveç ankesave të familjeve, nuk është vërejtur diçka e madhe por është e pritshme. Në momentin kur ngriten çmimet, zvogëlohet shporta e konsumatorit. Ne presim që të ketë një trend ngritës, qoftë në kërkesa për familje të reja ose nevojat e tyre, ne e shohim edhe tek donatorët kur vijnë pakot. Ndryshe ka kushtuar një pako para dy vitesh, ndryshe kushton tash. Ose sasia e produkteve është shumë më e vogël tash për shkak të ngritjeve të çmimeve. Edhe kjo besoj që ndikon negativisht tek familjet që do të kenë vështirësi më të mëdha për shkak të ngritjes së çmimeve. Edhe kjo besoj ndikon negativisht tek familjet që do të kenë vështirësi më të mëdha, përderisa nuk është bërë asnjë ngritje, qoftë e bazës socialit apo të hyrave ë tyre”, deklaron Shala.
Kryqi i Kuq i Kosovës çdo vit ndihmon me pako ushqimore, higjienike e veshmbathje gati rreth 10 mijë familje.
“Zakonisht është ajo kërkesa e tyre për ushqim dhe veshmbathje. Ajo është kërkesa ose nevoja më e madhe e tyre, qysh do të ja dalë deri në fund të muajit. Kemi raste kur shkojmë që ndoshta nuk e ka asnjë kilogram miell, asnjë shishe vaj, produkte shumë bazë elementare, kërkesat e ushqimit janë të nevojshme. Ka edhe raste tjera, rregullimi i shtëpisë ose ambienteve ku jetojnë, mirëpo kërkesa kryesore është ushqimi dhe veshmbathjeve”, shton ai.
Megjithatë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale ka shënuar rënie.
“Në muajin prill 2025, numri i familjeve përfituese nga Skema e Ndihmës Sociale ishte 16,980, me gjithsej 66,041 anëtarë. Komuna me numrin më të madh të familjeve përfituese është Komuna e Mitrovicës. Në krahasim me vitet paraprake, numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale ka shënuar rënie. Llogaritja e shumës së ndihmës sociale bëhet si vijon: Për anëtarin e parë të familjes, vlera është 70 euro; Për anëtarin e dytë të familjes, vlera është 20 euro; Për çdo anëtar të mitur nën moshën 18 vjeç, shtohet një shtesë prej 10 eurosh, përveç shumës së llogaritur si anëtar i zakonshëm i familjes. Pavarësisht nga numri i anëtarëve, shuma maksimale mujore e ndihmës sociale nuk mund të kalojë shumën prej 250 eurosh”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ndërkaq, Azem Bilalli nga Vranjevci i Prishtinës ju bën thirrje institucioneve për ndihmë dhe rritje të asistencës sociale.
Burimi: botasot.info