Me 25 nëntor pritet që mbrojtja e Shalës ta dorëzojë dosjen përfundimtare të Apelit kundër vendimit të Themelores

November 2, 2024
min lexim

Është vendosur që më 25 nëntor 2024, mbrojtja e Pjetër Shalës ta dorëzojë dosjen e saj përfundimtare për Apelim të vendimit të Themelores e cila e dënoi atë me 18 vjet burgim për krime lufte.

Pjeter Shala, përmes mbrojtjes se tij kishte kërkuar një zgjatje të afatit deri me 16 dhjetor 2024 si dhe ta zgjatë për 15  mijë fjalë kufirin e fjalëve që mund të përdorë në ankesën e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E PRANON pjesërisht Kërkesën; AUTORIZON Shalën të dorëzojë një ankesë prej maksimumi 32,000 fjalësh deri më 25 nëntor 2024; dhe E REFUZON pjesën tjetër të Kërkesës”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Shala ka argumentuar se kërkesa e tij është e justifikuar për shkak të nevojës për të marrë versionin zyrtar të përkthyer të aktgjykimit në gjuhën shqipe përpara se të dorëzojë dosjen përfundimtare, nevojës për të trajtuar çështje të ndërlikuara ligjore dhe faktike që do të ngrihen në ankesë, pritshmërinë që afatet e procedurave të dëmshpërblimeve të përputhen me ato të procedurave të Apelit.

Mbrojtja kishte përmendur edhe faktin që Paneli i Gjykatës ka udhëzuar që të dorëzohen dokumente të përbashkëta për redaktime shtesë në dokumentet e Mbrojtjes, dhe Shala parashikon të apelojë ndaj vendimit të Panelit të Gjykatës në këtë drejtim.

Gjithashtu ishte përmendur edhe rrethanat familjare të avokatit të Shalës duke përfshirë edhe lejen prindërore që ka ai e cila fillon nga mesi i nëntorit 2024.

Shala kishte kërkuar edhe rritje të kufirit të fjalëve për ankesën e tij duke argumentuar se është e nevojshme për shkak të kompleksitetit të bazave të ankesës.

“Shala kërkon një rritje të kufirit të fjalëve prej 15,000 fjalësh për ankesën e tij. Ai argumenton se një rritje e tillë është e nevojshme për shkak të kompleksitetit të bazave të ankesës, gjatësisë së njoftimit të apelit, dhe faktit që ka patur një histori të gjerë të procedurave për disa nga pikat e ankesës që duhet të analizohen dhe diskutohen në dokumentin e ankesës”, thuhet në vendim.

Ndërsa, ZPS-ja kishte kundërshtuar kërkesën duke argumentuar se Shala nuk ka arritur që të tregojë arsyeje të vlefshme për një shtyrje tjetër të afatit për shkak se tashme veçse janë bërë dy shtyrje për përgatitjen e dokumenteve të saj të apelimi.

Ata kanë parashtruar se mbrojtja tashmë ka marrë edhe një version të papërfunduar të përkthimit të vendimit në gjuhën shqipe me shumë se dy muaj përpara afatit për dorëzimin e dosjes përfundimtare dhe se preferencat e Shalës për ta lexuar përkthimin final nuk bazohen në ndonjë mangësi në përkthimin aktual që kanë.

ZPS-ja gjithashtu ka argumentuar se pretendimet e Shalës janë spekulative pasi që nuk ka ende asnjë urdhër për dëmshpërblim apo vendim për redaktime.

Ata thonë se është e paqartë se si leja prindërore e avokatit do të ndikojë negativisht në aftësinë e mbrojtjes për të përmbushur afatin aktual.

Në kundërpërgjigje të ZPS-së, mbrojtja ka kundërshtuar qëndrimin e Prokurorisë duke shtuar se shtyrja e mëparshme e afateve janë dhënë specifikisht për njoftimet e jo për ankesën përfundimtare që duhet dorëzuar në Apel.

Si rrjedhojë, Paneli i Apelit ka rikujtuar se me 24 korrik 2024, është aprovuar një kërkesë e Shalës për të zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimeve nga i akuzuari dhe ZPS-ja deri me 2 shtator 2024. Sipas vendimit, në të njëjtën datë, Shala ka dorëzuar njoftimin e tij fillestar të apelit dhe me 30 shtator ka dorëzuar versionin e ndryshuar të po këtij njoftimi me udhëzimin e Panelit.

Ndërsa, në konferencën përgatitore që ishte mbajtur me 20 shtator ishte njoftuar se Shala kishte marrë një version të papërfunduar të përkthimit të vendimit në gjuhën shqipe me 4 shtator 2024.

Në vendim thuhet se duke u bazuar në afatet dhe sipas zgjatjes fillestare prej 10 ditësh që është bërë, Shala duhet të dorëzojë dokumentin e ankesës me 14 nëntor 2024.

Aty  thuhet se sa i përket kohës së dorëzimit të ankesës, sipas afateve është e parashikuar të dorëzohet me 14 nëntor pasi tashmë Shala ka marrë një zgjatje fillestare.

Në anën tjetër Paneli ka shqyrtuar edhe argumentet e mbrojtjes lidhur me urdhrin për dëmshpërblim që mund të dal në këtë rast. Andaj, ata kanë konstatuar se Shala nuk përballet me afate konkurruese dhe se ata nuk kanë arritur të argumentojnë se si përgatitja e ankese së tyre ndikohet nga një dokument tjetër që ende nuk është lëshuar.

Si rrjedhojë, Paneli ka kolauduar se çdo pretendim në këtë drejtim është spekulativ tani.

Ndërsa, sa i përket lejes prindërore të avokatit, Paneli ka thënë se e merr në konsideratë këtë rrethanë por megjithatë nuk janë të bindur se ky rast mund ta justifikojë zgjatjen e afatit për një muaj, sidomos kur ekipi i mbrojtjes së Shalës është i gjerë.

“Për rrjedhojë, Paneli i Apelit e konsideron se zgjatja njëmujore e kërkuar nga Shala, pra deri më 16 dhjetor 2024, është e tepruar. Në vend të kësaj, Paneli vendos të zgjasë afatin për dorëzimin e dokumentit të ankesës deri më 25 nëntor 2024, duke vënë në dukje se drafti i përkthimit është në dispozicion që nga fillimi i shtatorit 2024”, thuhet në vendim.

Veç tjerash, në vendim thuhet se Shala do të dorëzojë një ankesë deri në 20 mijë fjalë dhe se konsideron që zgjerimi i kufirit me 15 mijë fjalë të tjera nuk është i nevojshëm. Megjithatë, rritja prej 2 mijë fjalësh është e justifikuar për të siguruar qartësi dhe koherencë.

Ndryshe, më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim  ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Punimet në “Lungomare 3″/ Rama: Investim strategjik ,zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës

Story i radhës

​Klinika e Neurologjisë kërkon më shumë infermierë

Të fundit nga

ShkoLartë