Ministria e Drejtësisë është në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, për të proceduar me ndryshimet në projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kushtetuesja javë më parë, rrëzoi këtë ligj, duke vlerësuar disa nga nenet kundërkushtetuese.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se janë duke punuar në adresimin e çështjeve të ngritura nga Kushtetuesja.
“Pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese në raport me Ligjin për Byronë, Ministria e Drejtësisë është duke punuar për adresimin e çështjeve në projektligj. Është e rëndësishme që Aktgjykimi të publikohet sa më parë në mënyrë që të sigurohemi që i kemi adresuar të gjitha çështjet e ngritura.”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Por, nga Lëvizja Fol thonë se Ministria do të duhej që të ndryshonte në tërësi ligjin dhe duhet që të ndryshojë edhe grupin punues.
“Duhet të bëhet me hartues të ri ligjor, hartues të cilë janë profesional në punën e tyre dhe e dinë mirë se cfarë është një a,b,c e ligjeve sepse kemi parë që shumë prej çështjeve që i ka kontestuar gjykata Kushtetuese në të vërtetë kanë qenë qenë shkelje kushtetuese me vend, sic janë vendosja e kompetencave komisioneve.”, tha Viona Bunjaku.
Njëjtë shprehen edhe nga GLPS, të cilët thonë se duhet të pritet aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese që të adresohen gjetjet.
“Duke qenë se deri më tani kemi vetëm njoftim mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Byrosë, fillimisht duhet të pritet publikimi i vendimit të plotë e më pas të vazhdohet në hartimin e ligjit të ri nga Ministria e Drejtësisë. GLPS kërkon nga Ministria që gjatë hartimit të dispozitave të reja të Ligjit për Byronë, të sigurohet që në mënyrë të drejtë e të plotë i adreson gjetjet e Kushtetueses, të sigurojë konsensus të plotë në procedurën e konsultimit me akterët e tjerë dhe të merren si model praktikat pozitive nga vendet e tjera që e zbatojnë konfiskimin civil. Pasi me këtë Ligj synohet që për herë të parë në Kosovë të rregullohet mundësia e konfiskimit civil, konsultimi i serishëm me Komisionin Venecian mund të shihet si opsion në fazën e hartimit të Ligjt të ri.”, tha Liridon Salihu.
Ndërkohë që ish sekretari i Ministrisë së Drejtësisë shpreson që vendimi i plotë i Kushtetueses të mos marr shumë kohë, meqë do të shkaktonte vonesa në procedim të ligjit.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka afat por sa i përket kësaj nisme Gjykata ka tejkaluar cdo limit deri më tash, sepse ka një afat të gjatë kohor që është marr me trajtimin dhe besoj se hartimi nuk do të marr shumë kohë, sepse besoj që i njëjti me rastin e shqyrtimit, miratimit ai vetëm ka qenë një draft i konsideruar.”, tha Ardian Bajraktari.
Përmes telefonit nga Gjykata Kushtetuese, televizionit i kanë konfirmuar se janë në hartim të aktgjykimit të plotë porse nuk mund të flasin për kohën se kur mund të jetë i gatshëm.
Ky projektligj u miratua në shkurt të 2023-s, por PDK-ja e dërgoi atë për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese.