Më 2 shkurt u mbyllën nga Policia e Kosovës tri komuna ilegale serbe.
Në Gorazhdec u mbyll komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videojë komuna paralele e Klinës.
Kështu bëri të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas aksionit të Policisë kundër strukturave ilegale serbe.
Për mbylljen e komunave paralele dhe OJQ-së kanë reaguar nga SHBA dhe BE.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier është shprehur thellësisht i shqetësuar për veprimet e fundit të Qeverisë.
“Kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj qytetarëve serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë”, tha Hovenier.
Ndërsa, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet që mund të rrisin tensionet dhe kërkoi zgjidhje përmes dialogut.
“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, theksoi Stano.
Reagim pati edhe nga Gjermania.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se masat e njëanshme të Kosovës vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit.
Lidhur me krejt këto reagime të aleatëve ndërkombëtarë kanë folur nga opozita, njohës të politikës e sigurisë.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Kransniqi tha se pas deklaratave të aleatëve duhet reflektim nga Qeveria.
Krasniqi tha se pushteti aktual po provokon tensione të reja në veri.
“Deklarimet e fundit nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së që kanë për motiv vendimet e fundit të Qeverisë Kurti për mbylljen e komunave paralele dhe OJQ-ve duhet të merren me seriozitet të lartë dhe të ketë reflektim të menjëhershëm nga ky pushtet, i cili në mungesë të koordinimit me aleatët tanë po provokon tensione të reja dhe përkeqësim situate në Veri të Kosovës”, theksoi ajo.
Deputetja e LDK-së, ka kërkuar nga Qeveria të ketë koordinim me ndërkombëtarët për vendimet e tilla.
“Ne jemi pro shtrirjes së sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit tonë, mirëpo veprimet e tilla duhet të bëhen në koordinim të plotë me partnerët tanë, SHBA dhe BE sidomos në këtë periudhë kohore kur gjendja duket të jetë me delikate në komunat veriore. Prandaj, po ritheksoj se duhet të ketë reflektim urgjent nga ana e Qeverisë, konformë shqetësimeve të ngritura nga aleatët tanë”, u shpreh ajo.
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi i ka komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve pas mbylljes së komunave paralele të serbëve.
Arifi tha se këto veprime duhet të shihen si pjesë për integrimin e serbëve në institucione kosovare.
Ai thotë se vendimet e Qeverisë janë pjesë e një marrëveshjeje.
“Reagimet e SHBA-ve dhe BE-së duhet të merren shumë seriozisht vetëm në një anë por nga ana tjetër është e pakuptimtë sepse këto vendimet e Qeverisë janë pjesë e marrëveshjes franko-gjermane nuk mund të kemi normalizim nëse kemi dezintegrim të serbëve brenda Kosovës, këto duhet të shihen si pjesë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, tha Arifi.
Mos-komunikimi me aleatët është problem i Qeverisë aktuale, thotë Arifi.
“I vetmi problem është mos komunikimi i duhur dhe argumentimi i qartë i qeverisë tek partneret ndërkombëtar para se të merren këto vendime se këtu po vërehet që ka pas befasi. Nuk ka vend për shqetësim, se nuk po bëhen veprime për t’ia kufizuar jetën serbëve por për t’i integruar në institucionet legale”, tregoi ai.
Arifi tha se perëndimi duhet ta bëjë të qartë që Kosova është shtet i pavarur.
Sipas tij, ende nuk është gjetur forma se si të integrohet shteti ynë në familjen perëndimore.
“Këto veprime nuk besoj që sjellin tensione brenda Kosovës, mund të ketë frustrime individuale por jo tensione kolektive në komunitetin serb. Perëndimi duhet ta bëjë të qartë se a është Kosova shtet i pavarur dhe demokratik apo jo se kjo është e pakuptimtë, perëndimi nuk ka gjetur ende formulën se si të integrohet Kosova në familjen perëndimore”, u shpreh ai.
“Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar”.
Kështu po deklaron në një prononcim eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Ai tha se serbët janë duke përgatitur një strategji pas këtij vendimi.
“Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar. Sipas gjitha gjasave tani pala serbe është duke hartuar një strategji në dy dimensione të cilat kryesisht do të reflektojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe asaj të sigurisë”.
Pala destruktive sipas Serbisë do të paraqitet Prishtina pas vendimit për mbylljen e strukturave paralele, thotë Shala.
Ai theksoi se do të ketë edhe një ndikim në aspektin e sigurisë.
“Në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare veprimet që janë legjitime dhe legale nga Prishtina zyrtare , Beogradi do të paraqes narrativen e saj konstruktive në procesin e marrëdhënieve me BE dhe Kosovën ku pale destruktive do të paraqitet Prishtina.
Në aspektin e sigurisë do të marr formën e saj në paraqitjen e elementeve që do të tentohen të duken si rebelim qytetar me elemente të strukturave serbe brenda tyre dhe veprimi i institucioneve të rendit do të tentohet që forma faktike që është rendi dhe ligji të duket si represion politik”, tregon Shala.
Koordinimi me partnerët e sigurisë nuk duhet të mungojë, sipas Shalës.
“Na duhet të koordinohem më partneret e sigurisë gjithashtu në nivelin politik ndërkombëtar përmes MPJ-se. Faktori partner i Kosovës në nivelin diplomatik kanë vetëm shqetësimet e tyre se mund të kemi një situatë të një impakti gjeopolitik /gjeostrategjik në sigurinë e Kosovës me shpërfaqje të gjere rajonale”, u shpreh ai.
Ndryshe, lidhur me këtë çështje ka folur sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se mbyllja e komunave paralele në Kosovë është një detyrim që vjen nga marrëveshje e nënshkruar mes Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2013.
“Në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është ratifikuar në parlament dhe është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë”.