Ka përfunduar ditën e djeshme afati i dorëzimit të gjithë dokumentacionit financiar për licencimin e klubeve aplikante për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2022-23.
Gjatë katër muajve të fundit klubet aplikante për licencë kanë paraqitur në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.
Kriteret që duhet të plotësohen janë kriterin sportiv, ai i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriteri financiar, që është edhe kriteri me i rëndësishëm në raport me kriteret e tjera.
Menaxheri i Sektorit të Licencimit në FSHF, Eduard Gjini, shpjegon procesin e licencimit dhe vlerëson përmirësimet që kanë bërë klubeve në të gjitha kriteret.
“Ka përfunduar më 31 mars procesi i dorëzimit të gjithë dokumentacionit financiar për klubet e Abissnet Superiore, që janë kandidate për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Abissnet Superiore dhe kompeticionet e UEFA-s.
Tashmë i gjithë dokumentacioni do t’u dorëzohet ekspertëve të kritereve, të cilët do të bëjnë raportet përkatëse dhe do të konkludojnë për çdo klub nëse i ka plotësuar kriteret për t’u pajisur me licencë ose jo.
Nga analiza e deritanishme mund të thuhet se ka një përmirësim të situatës krahasuar me vitin e kaluar në aspektin e kritereve të licencimit të klubeve, por sigurisht nuk jemi akoma aty ku duhet dhe ka vende për të përmirësuar situatën, sidomos për katër kriteret e para”, – tha Gjini.
Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë.
Duke parë rëndësinë e madhe që ka ky proces, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar muajt e fundit takime dhe workshop-e me të gjitha klubet, ku i është bërë e qartë mënyra dhe procedura se si duhet të plotësohet dokumentacioni për të përfituar në përfundim të procesit licenca.