​Mbrojtja e të drejtës për jetë në Kosovë

July 27, 2023
min lexim

“Për një copë letër, nëna ime nuk është më këtu sot.”

Këto fjalë rrëqethëse vijnë nga Velerda Sopi, vajza e Sebahate Morinës, e cila u vra brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj në mars të vitit 2021 në një rast dhune në familje që ka karakterizuar një dështim të institucioneve të Kosovës – por një sukses të gjyqësorit të Kosovës.

Pas një procesi gjyqësor dyvjeçar, Velerda dhe vëllezërit e motrat e saj morrën një pranim zyrtar për dështimin e policisë për t’i marrë seriozisht ankesat ekzistuese për dhunën në familje: në mars të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se institucionet nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre për të mbrojtur jetën e nënës së tyre.

“I lus institucionet, në emrin tim, të trajtojnë seriozisht ankesat e grave. Do të kërkoja që policia të trajtojë më seriozisht këto raste. Nëse gratë ankohen, merreni parasysh, mos i lini si rasti i nënës sime, i cili është lënë anash”, tha Velerda në një intervistë të fundit për Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Gjykata konstatoi se Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit nuk e mbrojtën Sebahaten duke mos zgjatur masat mbrojtëse pas raportimeve të përsëritura për abuzim fizik, duke shkelur kështu Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe parimet e Konventës së Stambollit. Për Velerdën, e cila e përshkroi rezultatin në rastin e familjes së saj si një “lehtësim”, shqetësimi i saj është që asnjë i ri tjetër nuk duhet të gjendet në situata të ngjashme ku janë ngritur kambanat e alarmit, por nuk është ofruar mbështetje.

“Ndoshta ka pasur shumë konflikte mes prindërve tanë, por shteti është përgjegjës nga njëra anë, që nuk ka ndëmarrë masa [të duhura] dhe vazhdon të mos ndërmarrë masa për raste të tjera që po ndodhin çdo ditë e më shumë”.

Rasti i Sebahates është marrë në emër të fëmijëve të saj nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD-së, e cila është mbështetur nga UNMIK-u gjatë tre viteve të fundit, e mori rastin në emër të fëmijëve Sopi pas vrasjes-vetëvrasjes traumatike. Qendra ka ofruar ndihmë juridike dhe përfaqësim falas për 2,000 persona nga të gjitha komunitetet, dhe nga të gjitha pjesët e Kosovës, në jug dhe në veri.

Duke folur në emër të vëllezërve dhe motrave të saj, Velerda tha se ajo dhe vëllezërit e motrat e saj kishin marrë “mbështetje të jashtëzakonshme” gjatë gjithë kohës nga ekipi i IKD-së.

“Qendra na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe e kemi pasur si një sup mbështetjeje për çdo lloj ankese apo kërkese që mund të kishim pasur si fëmijë të të përfshirëve në këtë rast”.

Dëshmia e përzemërt e Velerdës u dëgjua përmes një interviste video të shfaqur gjatë një ngjarjeje që shënonte përfundimin e një projekti të mbështetur nga UNMIK-u me IKD-në.

Ndërtimi i partneriteteve dhe llogaridhënies në gjyqësor

Shefja e UNMIK-ut, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Caroline Ziadeh, tha se pavarësisht rrethanave tragjike ishte një fitore që e drejta themelore për jetë u njoh nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. “Le të shpresojmë se ky është një precedent dhe një thirrje zgjimi në luftën kundër dhunës në familje,” tha ajo.

Duke punuar për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe transparencën brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, UNMIK-u gjithashtu mbështet IKD-në në drejtimin e dy Klinikave Ligjore për gjithsej 40 të diplomuar në drejtësi nga universitetet në Prishtinë dhe Mitrovicën Veriore.

“Kam dëgjuar për Klinikën Ligjore nga pjesëmarrësit e mëparshëm dhe në momentin që u bashkova me të, e kuptova rëndësinë e saj. Ne mësojmë vetëm teori në Universitet, por përmes Klinikës Ligjore pamë praktikën dhe kuptuam rolet tona të ardhshme si juristë dhe gjyqtarë”, tha Mirlinda Çunaku, një nga pjesëmarrëset e gjeneratës së dytë të Klinikës që mori certifikatën e përfundimit të këtij aktiviteti.

Kolegja i saj Magdalena Raçiçeviq tha se klinikat ofruan një mundësi të pashembullt për të vënë në praktikë teorinë: “Ishte e rëndësishme për ne të mësojmë se si të zbatojmë praktikisht ato që kemi mësuar në Universitet.”

Me Klinikat Ligjore të IKD-së, të diplomuarit në drejtësi patën gjithashtu mundësinë të kryejnë praktikë ligjore në institucione dhe OJQ të ndryshme, duke përfshirë Agjencinë Kosovare për Informim dhe Privatësi (AIP).

“Bashkëpunimi me IKD-në dhe UNMIK-un la gjurmë në karrierën time. Praktikantët e angazhuar përmes IKD-së na ndihmuan në kryerjen e detyrave tona, dhe ata mësuan se si të inspektojnë shkeljet e mundshme të privatësisë”, tha Komisionerja e Kosovës për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku.

Mbrojtja e informacionit personal

E mbështetur nga UNMIK-u, IKD gjithashtu ka zhvilluar dhe publikuar Doracakun për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili do të përdoret nga Agjencia në përpjekjet e saj për komunikim me publikun dhe për të ndihmuar publikun që ta përdorë më mirë Ligjin.

Manuali përmban formularë dhe shabllone që do ta bëjnë më të lehtë për të gjithë paraqitjen e rasteve në Agjenci kur mendojnë se të drejtat e tyre të privatësisë së të dhënave janë shkelur, dhe ato tani janë gjithashtu të disponueshme në internet.

Në mbyllje të ngjarjes, Ehat Miftari, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, u kthye në trashëgiminë që qëndron pas bashkëpunimit ndërmjet UNMIK-ut, IKD-së dhe AIP-së.

“Ne sollëm studentë nga të gjitha komunitetet në proces përkundër ndarjeve të shkaktuara nga politika. Ne u shërbyem më shumë se 2,000 njerëzve, gjithashtu me klinikat tona mobile të ndihmës juridike falas, si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës, edhe gjatë pandemisë, dhe tani kemi një manual për mbrojtjen e të dhënave. Të gjitha këto janë arritje të rëndësishme dhe falënderoj UNMIK-un dhe stafin tonë për gjithë mbështetjen e tyre”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Formacionet zyrtare të Besiktasit dhe Tiranës

Story i radhës

Snopçe alarmoi në Kuvend: Në Konjare është duke ndodhur një katastrofë ekologjike

Të fundit nga

Goditje e bujshme e Barcelonës

Barcelona duket se ka bërë një goditje të bujshme teksa ka siguruar firmën e një lojtari të cilin e kërkonin të gjithë klubet e mëdha të Europës. Gazetat katalanase ”Sport” dhe :”Mundo
ShkoLartë