Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se bujqit kosovarë këtë vit do të përkrahen përmes Programit të Pagesave Direkte apo Subvencioneve në vlerë 52 milionë euro, ku prioritet janë gruri, misri, patatja dhe fasulja për të krijuar kështu mundësi stabiliteti sa i përket sigurisë ushqimore.
Në një komunikatë për media thuhet se sipërfaqja e mbjellë me grurë në vendin tonë arrin 51,282.96 hektarë me një rritje prej 15.55 % prej vitit të kaluar.
Gruri sivjet do të subvencionohet me 474 euro për hektar, duke përfshirë këtu subvencionimin e naftës me 54 euro për hektar dhe 150 euro për hektar për plehërimin pranveror. Gruri do të subvencionohet edhe në bazë të rendimentit përmes dorëzimit të sasisë së tij në mulli ose silose me 0.03 euro për kilogram.
Sa i përket sipërfaqes së përgjithshme me drithëra, këtë vit kishte rritje prej 33.04%, ndërsa vetëm te sipërfaqja e mbjellë me misër kjo përqindje arrin 90.93% në krahasim me vitin e kaluar apo 17,574.15 hektarë më shumë e që gjithsej me këtë kulturë janë të mbjellë 36,901.66 hektarë.
Rritja e përkrahjes direkte të bujqve përmes subvencioneve, duhet të reflektojë te mos rritja e çmimeve në treg, duke mos cenuar kështu xhepin e qytetarëve, thuhet më tej në komunikatë.
Bazuar në çmimin aktual të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR-ja, përfaqësuesit e DKB-ve dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve sugjerojnë/propozojnë se çmimi real i korrje-shirjeve për 2022 do të ishte 130 euro/ha (nënkuptohet se çmimi i korrje-shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve).
Sipas analizave të Ministrisë së Bujqësisë, kultivuesit e drithërave presin një rendiment më të lartë të këtyre kulturave në krahasim me vitin e kaluar, falë edhe kushteve klimatike.