Mbi 56 % e grave kanë fituar mandatin pa kuotë në Kuvendet Komunale

min lexim

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kuvendet Komunale janë transformuar dukshëm nga përfaqësimi i grave, ku rreth 60% e tyre kanë fituar mandatin pa kuotë gjinore. Kjo u bë e ditur në konferencën e organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale”, ku publikua hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale.

Në fjalën hyrëse të konferencës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se ky dokument, do t’u shërbejë akterëve që merren me qeverisjen lokale, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, politikbërësve dhe vendimmarrësve. Raporti nxjerr disa statistika interesante sa i përket përfaqësimit në kuvende komunale, siç janë numri i madhe i të rinjve që janë për herë të parë në kuvend, të rinjve në kuvende komunale dhe ajo që është më e rëndësishme, përfaqësimi i grave, të cilat rreth 60% e tyre kanë fituar mandatin pa pasur nevojën e kuotës.

Ndërsa, Ferdi Kamberi, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi rëndësinë e këtij hulumtimi duke nënvizuar se është prej pikave më të rëndësishme për të parë përbërjen e Kuvendeve Komunale, njëherësh qasje e duhur për të diskutuar mes akterëve për problemet, sfidat dhe orientimet për të ardhmen.

Duke prezantuar hulumtimin, menaxheri i Programeve në Institutin KLGI, Besnik Muçaj, nënvizoi se nga zgjedhjet lokale të fundit, ka ndodhur një transformim i Kuvendeve Komunale nga përfaqësimi i grave. Megjithatë, theksoi se një analizë e tillë shërben për të matur mjedisin institucional të Kuvendeve Komunale e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë.

Dokumenti analizon përbërjen Kuvendeve Komunale në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh disa faktorë si: moshën, mandatin dhe gjininë. Megjithatë, ky hulumtim, si faktor kontribuues, ka përfshirë edhe ndryshimet në Kuvendet Komunale, duke krahasuar numrin e mandateve për komuna. Pra, dokumenti pasqyron përbërjen dhe strukturën e Kuvendeve Komunale për mandatin 2021-2025.

Për më tepër, hulumtimi trajton mjedisin politik, institucional dhe të funksionimit të Kuvendeve Komunale; analizon, krahason aspekte kuantitative, ndër mandate dhe mes dy mandateve 2017-2021, duke reflektuar ndryshimet në moshë, në rizgjedhje (mandatarët e rinj), si dhe pasqyrimin në aspektin gjinor.

Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmes programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Rama: S’kemi probleme me Bullgarinë, vëllezërit në Maqedoni ta pranojnë propozimin francez

Story i radhës

BDI: Vendi ka mundësi historike për të ardhmen europiane dhe për të mbyllur të gjitha çështjet me fqinjët

Të fundit nga