Mbi 1 mijë ukrainas në Maqedoni! Nuk kanë mbrojtje shëndetësore, punë e shkollim

min lexim

Në institucione zyrtarisht janë regjistruar rreth 300, ndërsa jo zyrtarisht në Maqedoni janë rreth 1000 refugjatë ukrainas. Janë larguar me një çantë në dorë, kështu që tani çdo donacion për ta është i mirëseardhur. Por ky nuk është i vetmi problem për shkak se disa prej tyre nuk kanë as kulm mbi kokë.

“Ata persona po përballen me një sërë problemesh, akomodimi, mjete të pamjaftueshme, andaj ishim të detyruar që ta organizojmë këtë aksion përmes të cilit mblidhen mjetet e nevojshme siç janë ushqimi, veshmbathje, vitamina dhe mjete higjienike”, tha Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit.

Nuk mund të parashihet edhe sa do të zgjasë lufta dhe kriza. Këta persona që janë në skaj të ekzistencës nuk mund të jetojnë vetëm me donacione, atyre u duhet punësim që të mund të mbijetojnë. Megjithatë këtu nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë. Edhe krahas kërkesës së ambasadës së Ukrainës para 3-4 muajve, Qeveria ende nuk ka sjellë vendim ndërsa nuk ka as marrëveshje bilaterale mes dy vendeve për diçka të tillë. Nga Qeveria nuk morëm përgjigje se pse deri më tani nuk është ndërmarrë diçka në lidhje me këtë.

“Me statusin që e kanë te ne, ata nuk mund të punësohen dhe nuk mund të kenë të ardhura të tyre.

-Fëmijët nuk mund të pranohen në çerdhe e në shkolla, me çka ua mohohen të drejtat themelore të arsimit, përkujdesjes dhe edukimit”, pohoi Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit.

Këta persona nuk kanë mbrojtje sociale e as shëndetësore. Me paratë që në fakt nuk i kanë, duhet të mjekohen dhe të paguajnë privatisht. Ka paralajmërime se gjatë verës numri i refugjatëve në vendin tonë do të rritet. Në Bullgari janë 97 mijë refugjatë nga Ukraina që janë akomoduar në hotelet në bregdetare, megjithatë deri më 1 qershor do të duhet t’i lëshojnë hotelet për shkak të fillimit të sezonit turistik.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Moska po heton djalin e deputetes britanike

Story i radhës

Marrëveshja e Vuçiç me Putin për gazin rus, reagon “Presidenca” në Kosovë: Deri kur do ta tolerojë BE?

Të fundit nga