Mbështetësit e presidentit koreanojugor me parrullat e fushatës Trump

January 3, 2025
min lexim

SEUL – Mbështetësit e Presidentit koreanojugor Yoon Suk Yeol, ndaj të cilit janë ngritur akuza penale, kanë filluar të përdorin përdorin slloganin elektoral “Ndal Vjedhjen [e votës]”, të popullarizuar në Shtetet e Bashkuara nga mbështetësit e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Mbështetësit e zotit Yoon thonë se shpresojnë që ndërrimi i administratës amerikane do ta ndihmojë udhëheqësin e tyre.

Ndërsa mbështetësit e Presidentit Yoon u mblodhën tek rezidenca e tij në orët e para të së premtes, në përpjekje për të mos lejuar arrestimin e tij, disa prej pjesëmarrësve mbanin parrulla në anglisht “Stop the Steal” (“Ndal Vjedhjen”), një sllogan që mbështetësit e zotit Trump e përdorën për të ngritur dyshime ndaj rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane që ai i humbi në vitin 2020.

Presidenti Yoon e shmangu arrestimin të premten, pasi garda presidenciale dhe forcat ushtarake bllokuan përpjekjet për të ekzekutuar një urdhër të prokurorisë në kuadrin e hetimeve për shpalljen prej tij të gjendjes së jashtëzakonshme më 3 dhjetor.

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili do të marrë detyrën për një mandat të dytë më 20 janar, nuk e ka komentuar situatën e zotit Yoon dhe nuk ka lidhje të qarta ndërmjet ekipit të tij elektoral dhe mbështetësve të zotit Yoon.

Por nëse bëhet kërkim për termin #StopTheSteal, apo termin “manipulim zgjedhor” në gjuhën koreane, në platformën sociale X shfaqen postimet e fundit të publikuara nga koreanët që shfaqin imazhe që duket se janë frymëzuar nga sllogani i zotit Trump, “Make America Great Again” (“Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore”).

Mbrojtja e zotit Yoon për veprimtarinë e tij ka patur gjithashtu ngjashmëri me retorikën politike të zotit Trump, duke përmendur parregullsi të mundshme në votime dhe mbrojtjen e vendit nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.

Megjithëse Presidenti Yoon nuk përmendi çështjet zgjedhore në deklaratën e tij fillestare të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai dërgoi qindra forca ushtarake për të bastisur Komisionin Kombëtar të Zgjedhjeve (NEC) dhe më vonë pretendoi se Koreja e Veriut kishte bërë ndërhyrje kibernetike në këtë komision, por nuk përmendi ndonjë provë.

Ai tha se sulmi u zbulua nga Shërbimi Informativ Kombëtar, por se komisioni zgjedhor, që është agjenci e pavarur, refuzoi të bashkëpunonte plotësisht me hetimin dhe inspektimin e sistemit të tij.

Ndërhyrja kibernetike hodhi dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve parlamentare të prillit 2024 – ku partia e tij pësoi një humbje të ndjeshme – dhe e detyroi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, tha ai.

Në atë kohë, komisioni tha se duke ngritur dyshimin për parregullsi zgjedhore, Presidenti Yoon po kryente një “veprim vetëshkatërrues ndaj sistemit të mbikëqyrjes zgjedhore, që e zgjodhi vetë atë president”.

Komisioni zgjedhor tha se ishte konsultuar me agjencinë e zbulimit vitin e kaluar për të trajtuar “pikat e dobëta të sigurisë”, por se nuk kishte shenja që një ndërhyrje kibernetike nga Koreja e Veriut pati kompromentuar sistemin zgjedhor dhe se votimi bëhet me fletëvotimi.

Çështja është bërë një pikë kryesore diskutimi për mbështetësit e Presidentit Yoon, të cilët thonë se shpallja prej tij e gjendjes së jashtëzakonshme ishte e justifikuar. Ata tashmë shpresojnë se shqetësimet e tyre do të gjejnë mbështetje tek Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump.

“Ai mund ta ndihmonte vërtet Presidentin Yoon”, tha profesori Lee Ho-chung, duke shtuar se audienca për posterin e tij në anglisht “Stop The Steal” ishin amerikanët dhe koreanët.

Pyeong In-su, 71 vjeç, duke mbajtur në dorë një flamur të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut me fjalët “Le të veprojmë së bashku” në gjuhën angleze dhe koreane, tha se mendonte që rikthimi i Presidentit Trump do ta shpëtonte edhe Presidentin Yoon.

“Shpresoj që Trump-i ta marrë detyrën së shpejti dhe të ngrejë zërin kundër zgjedhjeve të manipuluara në vendin tonë, plus në mbarë botën, në mënyrë që ta ndihmojë Presidentin Yoon të rikthehet (në pushtet) me shpejtësi”, tha zoti Pyeong.

Seo Hye-kyoung, e cila mbante një tabelë “Stop the Steal” me flamurin kinez, tha se: “Kinezët kanë ardhur në vendin tonë dhe na kanë vjedhur votat”.

Kur u pyet për mohimin publik të manipulimit zgjedhor nga komisioni zgjedhor, zonja Seo tha se i beson Presidentit Yoon. “Presidenti nuk është dikush që do të thoshte diçka të gabuar”, tha ajo.

Qindra protestues që mbështesin Presidentin Yoon rrethuan kompleksin presidencial. Disa qëndruan jashtë gjatë natës në temperatura nën zero, me shpresën për të mos lejuar arrestimin e tij.

“Proces i pavlefshëm” brohoritën protestuesit, ndërsa disa mbanin flamurin amerikan, i cili shpesh shfaqet në protestat e konservatorëve në këtë vend./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çfarë duhet të bëni nëse ngrihet frena e dorës?

Story i radhës

Një muaj paraburgim për vjehrrin që dyshohet se e ngacmoi renë në Gjilan

Të fundit nga

Eleganca e Victoria Beckham

Modelja e famshme, Victoria Beckham ka treguar linjat e saj trupore, me një palë pantallona dhe një korse të thjeshtë Ajo veshjen e saj e tregoi përmes një video në Instagram, të

Ushtria izraelite vret 70 persona në Gaza

Sulmet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 70 njerëz, thanë mjekët palestinezë të shtunën. Ndërsa ndërmjetësit nisën një shtytje të re armëpushimi për t’i dhënë fund luftës 15-mujore.
ShkoLartë