Arkëmorti me trupin e pajetë të ish-Presidentit Bujar Nishani ka mbërritur në Presidencë.
Arkëmorti i tij do të vendoset në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë.
Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Arkmorti i president Nishanit do ta lerë Presidencën në ora 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.
Programi i ceremonisë së homazheve në nder të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani
Dt. 1 qershor 2022 (e mërkurë)
– Mbërritja e arkemortit me trupin e Presidentit Bujar Nishani në Tiranë herët në mëngjes dhe do të vendoset Sallën “Skënderbeu” të Institucionit e Presidentit.
– Paradite ora 10:00-14.00 dhe pasdite 16.30-22.00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.
Dt. 2 qershor 2022 (e enjte)
Ora 10:00-12.00 Homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Pas orës 12.00 arkemorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor shkon në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
– Ceremonia e varrimit dhe fjalime lamtumire.
– Dreka mortore në nderim të të ndjerit President Bujar Nishani.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.
Mjekët i këshilluan familjarëve të merrnin një vendim për shkak të shpresave të humbura për t’u zgjuar.
Nishani u shtrua në ish Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat post covid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani.
Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid 19 i la në organizëm.
Ai është i dyti ish President shqiptar pas Ramiz Alisë që ndahet nga jeta. Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve ’90, Ramiz Alia është përcjellë në 9 Tetor 2011 për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij janë zhvilluar për 1 orë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Atë kohë protokolli i shtetit zhvilloi një ceremoni zyrtare, por pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë.