Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në burg bosin turk të kriptovalutës, Faruk Fatih Özer. Biznesmeni u arrestua pak jave më parë në vendin tonë pasi ishte në kërkim për mashtrim kompjuterik. Ai kërkoi që të zbutet masa e dënimit të tij, nga dënim me burg në detyrim paraqitjeje.
Avokati i tij tha se Ozer shtë një person me arsim të lartë, dhe se vendimi me burg duhet zbutur duke e lënë në detyrim paraqitjeje sa herë që Gjykata ta kërkojë.
Özer, i cili kërkohej nga Turqia dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri. Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Shqipëri ai do të ekstradohet në Turqi.
Prokuroria turke më 22 prill 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë i dyshuari Faruk Fatih Özer ishte larguar jashtë vendit më 20 prill 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar përfshirë edhe Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
ARRESTIMI
Një operacion i koduar “Brain”, u organizua nga Policia e Elbasanit, ndërsa i riu turk u prangos në Himarë ku po kalonte disa ditë pranë detit. Faruk Ozër, 28- vjeç, ishte në kërkim prej vitit të shkuar kur mbërriti në Shqipëri dhe u zhduk papritur. Në prangat e njësisë Fast përfunduan edhe dy persona të tjerë që e shoqëronin të riun turk. “Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit. Gjatë operacionit për arrestimin e tij, janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.
PËRGJIMI
I riu me origjinë turke, i cili hyri në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ishte vënë nën përgjim prej dy javësh nga Prokuroria e Elbasanit. Mësohet se ai lëvizte së bashku me një grup prej 6 personash. Përgjimet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit dhe me vendim të Gjykatës së këtij qarku, gjë e cila ka sjellë edhe zbulimin e vendndodhjes së saktë të Özer. Në pranga e Policisë së Elbasanit ra dhe Edevaldo Haxhiu, i cili ka ndihmuar shtetasin turk të fshihet, ndërsa ai është shoqëruar edhe në shtator të vitit të shkuar për të njëjtën arsye. Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk, mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qira në zonën e Elbasanit.