Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka anuluar aktivitetet e parapara për sot në qytetin e Vitisë ku në agjendë kishte përurimin e një shkolle dhe një çerdheje në dy fshatra të kësaj komune.
Bëhet fjalë për shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran si dhe çerdhen në fshatin Dobresh.
Kjo u bë e ditur me anë të një njoftimi për media nga MAShT-i.
“Ju njoftojmë se janë anuluar aktivitetet e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të parapara që të mbahen ditën e sotme në Viti”.
Ftesën për t’u bërë pjesë e ceremonisë, MAShTI ia nisi mesditën e së hënës kryetarit të kësaj komune, Sokol Haliti, i cili tha se do nuk do të jetë pjesë e saj.
Ai tha për Klanin se punimet në shkollën në Pozhoran kanë nisur qysh më 2016, nën financimin e qeverisjeve paraprake, dhe përurimi në këtë kohë, sipas tij, është interes politik, meqë vendi është në prag të zgjedhjeve qendrore.
Një ftesë të ngashme si për kreun e Vitisë, kjo ministri ia drejtoi edhe mediave të martën.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ditën e nesërme, me 8.01.2025, do të zhvilloj disa aktivitete në Viti. Në ora 10:00, përurimi i shkollës “Halil Alidema” në Pozharan të Vitisë”.
“Në ora 11:00, përurimi i çerdhes në fshatin Dobresh të Vitisë (Objekti i adaptuar nga shkolla në çerdhe)”, u tha në njoftimin e djeshëm të kësaj ministrie.
Burimi: botasot.info