Shkup, 5 dhjetor – Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se më 3 dhjetor ka përfunduar afati për aplikim për ushtrimin e së drejtës të subvencionimit të racionit për student, i cili zgjati nga 25 nëntori.
Aplikimet, thonë nga MASH do të shqyrtohen nga ana e komisionit të posaçëm i formuar për këtë qëllim, pasi që të arrijnë të dhënat për aplikantët që kërkohen në bazë të thirrjes, ndërsa të cilat i siguron Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Punësimit, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Shërbimet e studentëve të fakulteteve.
“Rikujtojmë se, thirrja i’u referohej studentëve të rregullt në institucionet e arsimit të lartë shtetëror dhe privat, të cilët janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët nuk janë në punë të rregullt, nuk janë të regjistruar si bujq individualë dhe nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të lartë se paga minimale neto në vitin vijues”, thonë nga MASH duke shtuar se e drejta për subvencionim të racionit për studentë nënkupton marrjen e kompensimit mujor në të holla prej rreth 2400 denarë për 9 muaj të vitit, përkatësisht 120 denarë për çdo ditë pune të muajit, përveç festave shtetërore, fetare dhe ditëve jopune. Këtë vit pagesa do të bëhet në mënyrë retroaktive, duke filluar nga data 15 shtator.
Burimi: zhurnal.mk