Nga të shtënat me armë zjarri të llojit pistoletë në Klos ku u vranë tre persona mbetën te plagosur edhe dy te tjerë, përkatësisht një 16-vjeçar dhe babai i tij 39-vjeçar.
Policia tha se të plagosur mbetën shtetasit, Renado Hasula, 16 vjeç dhe babai i tij, Eglantin Hasula, të cilët pak minuta pas krimit janë transportuar drejt spitalit të Matit dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore atje, janë transportuar me urgjencë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Nga të dhënat e spitalit bëhet me dije se 16-vjeçari është në gjendje më të lehtë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babai i tij, Eglantini, është në gjendje më të rëndë, me prognozë të rezervuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Mësohet se babai me të birin ishin gjithashtu të pranishëm në lokal për të sqaruar situatën e krijuar, pasi edhe adoleshenti donte vajzën që u bë shkak për ngjarjen tragjike.
“Sot (dje), në orën 14:15 minuta, në qytetin e Klosit u vranë shtetasit Ilir Shira dhe Kenado Shira. Të plagosur janë Renato Hasula dhe Englatin Hasula, ata janë nisur në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë”, tha drejtori i Policisë së Dibrës, Dhimitraq Ziu. “Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi Fiqiri Mjeshtri, 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Kenado Shira, 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit Ilir Shira, 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), Renado Hasula, 14 vjeç dhe Eglantin Hasula, 39 vjeç (babë e bir). Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Ilir Shira ka humbur jetën në spital”, sqaroi Policia në komunikatë.
Autori i krimit u vetëvra në banesë, arrestohen vëllezërit
Pas ngjarjes së rëndë që la pas dy të vrarë dhe dy të plagosur, forcat e Policisë u vunë në lëvizje për të arrestuar autorin e dyshuar të krimit. Shumë shpejt e gjithë zona është rrethuar nga efektivë të shumtë të Policisë së Klosit, e ndihmuar edhe nga forcat e rendit të Burrelit.
Kur forcat e rendit kanë mbërritur në banesën e vëllezërve Mjeshtri, fillimisht ka arrestuar dy prej tyre, ndërsa i treti është gjetur i vetëvrarë në banesë. Njëri prej vëllezërve, Besnik Mjeshtri, i arrestuar nga Policia, ka qenë ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe vitet e fundit kishte hyrë në radhët e Policisë Bashkiake të Klosit. Në momentin që forcat e rendit kanë shkuar në banesën e Fiqiri Mjeshtrit, duke ditur që vëllai i tij ishte i armatosur, efektivi i Policisë Bashkiake u ka kërkuar kolegëve që të hynte ai i pari në banesë për shkak të rrezikshmërisë. Pasi kanë hyrë në një nga dhomat e banesës, 39-vjeçarin e kanë gjetur të vetëvrarë.
“Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi Fiqiri Mjeshtri, 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Kenado Shira, 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit Ilir Shira, 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), Renado Hasula, 16 vjeç dhe Eglantin Hasula, 39 vjeç (babë e bir). Të tre të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Ilir Shira ka humbur jetën në spital. Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera. Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin Fatmir Mjeshtri, 44 vjeç, dhe vëllanë e tij, shtetasin Besnik Mjeshtri, bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin Fiqiri Mjeshtri, 39 vjeç”, tha Policia. Përveç arrestimit të vëllezërve, Policia ka mundur të sekuestrojë edhe armën e krimit.