Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për masat që janë vënë ndaj shefes së SHISH, Vlora Hyseni mëngjesin e kësaj të marte.
Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se ky është niveli më i ulët i tradhtisë, ndërsa shtoi se denoncimet ndaj saj, ai i kishte bërë që në vitin 2022.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit.
Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.
Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky. Natyrisht, shërbimi informativ kombëtar është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare.
Fillimisht pas të themi largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë.
Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente.
Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022.
Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë.
E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj.”, tha ndër të tjera Berisha.
Burimi: botasot.info


