Lionel Messi është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, i cili do t’i japë Argjentinës avantazhin ndaj Francës në finalen e Kupës së Botës, sipas Emiliano Martinez.
Paraqitja e Messit në ndeshjen e së dielës në stadiumin “Lusail Iconic” do ta bëjë atë rekordmenin e të gjitha kohërave në historinë e Kupës së Botës me 26 paraqitje, ndërsa ai mund të bëhet gjithashtu lojtari i parë që shënon në fazën e grupeve, raundin e 16-të, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale në një edicion të vetëm të turneut, raporton KosovaPress.
Pasi ka luajtur gjithashtu një rol kyç në fitimin e Kupës së Amerikës te Argjentina vitin e kaluar, Martinez mendon se Messi do të jetë përsëri ai që do të bëjë diferencën.
“E shoh shumë të lumtur si çdo argjentinas, ai ndihet shumë mirë në fushë. Pashë një Messi të madh në Kupën e Amerikës, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe një nga më të mirët padyshim në Kupën e Amerikës, dhe në këtë Botëror ai bëri një tjetër hap përpara”, tha Martinez.
“Ai po luan më mirë, si fizikisht ashtu edhe në aspektin futbollistik. Ai po luan shumë mirë dhe kjo i jep shumë energji skuadrës, sepse ne kemi lojtarin më të mirë. Ai është i emocionuar, është plot gëzim dhe kjo na ndihmon shumë”, shtoi më tej Martinez.