Shkup, 11 nëntor – Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje Evropiane dhe Kryenegociator me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, sot do ta kryesojë ekipin negociues të Maqedonisë së Veriut në Bruksel në takimin e parë për skriningun bilateral i cili fillon me Kapitullin 5, “Furnizime publike”.
Siç kumtoi SÇE, anëtarët e Grupit të punës për Kapitullin 5, në takimin bilateral të skriningut, do t’ua prezentojnë ekspertëve të Komisionit Evropian, kornizën ligjdhënëse të Maqedonisë së Veriut dhe nivelin e harmonizimit me të drejtën e BE-së në këtë kapitull të procesit negociues. Temat dhe fushat e përfshira në këtë kapitull kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të prokurimeve publike, rregullimin e furnizimeve publike në sektorin e përgjithshëm, në fushat e politikës sociale, mjedisit jetësor, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, inovacionet, mbrojtje, koncesionet, prokurimin e mjeteve, prokurimet publike elektronike si edhe aspektet ndërkombëtare të kësaj fushe.
Institucion kompetent për këtë kapitull është Ministria e Financave, gjegjësisht Byroja për Prokurime Publike, ndërsa grupi i punës është i kryesuar nga këshilltari shtetëror në Byronë për Prokurime Publike, Aleksandar Argirovski.
Takimi shpjegues i skriningut për Kapitullin 5 nga Klasteri 1, “Vlera fundamentale”, u mbajt më 15 shtator, me të cilin gjegjësisht filloi procesi i skriningut. Delegacioni i Komisionit Evropian në këtë takim e prezentoi legjislaturën juridike të BE-së në fushën e prokurimeve publike, gjegjësisht janë shpjeguar risitë në rregullativën evropiane nga viti 2018/2019 deri më sot.
Një nga objektivat kryesore të skriningut, siç u tha, është përcaktimi i dallimit që ekziston në secilin nga kapitujt e negociatave, ndërmjet legjislacionit të vendit kandidat dhe ligjit të BE-së. Pas analizës, shteti kandidat pritet të tregojë nëse do të jetë në gjendje ta pranojë ligjin e BE-së në një kapitull të caktuar dhe të harmonizojë dallimet e vërejtura në legjislacion apo synon të kërkojë periudha të caktuara kalimtare për harmonizimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit.
Edhe pse Maqedonia e Veriut filloi negociatat me Bashkimin Evropian së bashku me Shqipërinë dhe së bashku i ndjekin takimet e skriningut shpjegues, ato ndahen për skriningun dypalësh dhe secili vend vazhdon ta udhëheqë veçmas këtë fazë të skriningut.
Sipas kalendarit të Komisionit Evropian procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është paraparë të zgjasë deri në fund të nëntorit të vitit 2023.
Burimi: zhurnal.mk