Në seancën e sotme qeveritare është miratuar vendimi për krijimin e strukturës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në vitin 2019, Qeveria miratoi një sërë masash me çka u vendos mekanizëm, por domosdoshmërish u konstatua edhe nevoja e ndryshimit të tij nga disa arsye.
Procesi i zgjerimit ka ndryshuar dhe kriteret për anëtarësim në Union po ashpërsohen, veçanërisht pas miratimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat qasëse në vitin 2020, informoi zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq në konferencën e sotme për media.
Mariçiq tha se nuk ka asnjë model të përvojës nga vendet që kanë negociuar deri tani ose ende janë duke negociuar, pasi kjo metodologji për herë të parë vihet në funksion.
“Metodologjia e re imponon negociata më të kapshme politikisht në mënyrën që e ngre procesin e përgjithshëm në një nivel më të lartë politik në të gjitha fazat e negociatave. Me vendimin e sotëm vendosim një strukturë të re që thjeshton këtë mekanizëm dhe e bën atë hierarkisht më funksional më efikas dhe më efektiv. Po vendoset kryenegociator, funksion që do ta kryej unë si zëvendëskryetar i Qeverisë përgjegjës për Çështje evropiane. Për konsistencën hierarkike, do të ketë edhe një zëvendëskryenegociator, atë funksion do ta kryejë Sekretarja shtetërore për Çështje evropiane, Drita Abdiu Halili”, informoi Mariçiq.
Duke sqaruar strukturën e negociatave, ai theksoi se përveç negociatorit kryesor dhe zëvendësit, përmban edhe një Komitet për negociata të kryesuar nga Qeveria dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, katër zëvendëskryeministra, ministri i Punëve të Jashtme dhe ministri i Financave. Përmban edhe një Delegacion shtetëror për negociata në krye me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani si shef i delegacionit.
Në përbërjen e strukturës negociuese përfshihet edhe një grup negociator i përbërë nga një ekonomist kryesor, jurist kryesor dhe shef i anti-korrupsionit. Është formuar edhe Komitet pune për Integrim evropian dhe grupe punuese për negociatat aderuese, si trupa ndihmëse të ndarë në klastere, tre zona dhe 33 kapituj. Të njëjtit do të marrin pjesë në përgatitjen e analizave për shkallën e përputhshmërisë së legjislacionit kombëtar me BE-në dhe përgatitjen e draft-pozicioneve negociuese.