Maqedonia fabrikë e fuqisë punëtore / Nevojiten reforma radikale për parandalimin e ikjes së të rinjve

Nëse Maqedonia nuk anëtarësohet në BE, shumica e të rinjve do të ikin jashtë. Kjo u tha sot në debatin e organizuar nga forumi për ndryshime në arsim me temë “Ikja e të rinjve me arsim të lartë: A po përgatitë RMV fuqi punëtore për vendet anëtare të BE-së”. Të pranishmit theksuan prezencën e këtij problemi në vendin tonë dhe si të parandalohet ky fenomen. Organizatorët druajnë nëse Maqedonia po bëhet fabrikë për prodhimin e fuqisë punëtore për vendet e BE-së.

“Problemi tjetër është që sistemi arsimor është duke ndihmuar në këtë proces sepse është shndërruar në një fabrikë që prodhon forcë pune për vendet e Bashkimit Evropian. Pra si gazetarë dhe ne si organizatë joqeveritare të bëjmë një analizë dhe të pyetnim nxënësit e shkollave të mesme të medicinës se kur do t’i kryejnë studimet si infermierë ku do të donin të punonin, ata do të thonin ose në Gjermani ose në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Evropian. Pra, sistemi arsimor në vendin tonë është duke prodhuar kuadro falas që ua jep falas vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Blendi Hodai.

Por nga ana tjetër, ikja e të rinjve nga Maqedonia po mbulohet me importimin e fuqisë së huaj punëtore. Siç pati njoftuar zv.kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, deri tani mbi 3000 persona kryesisht nga Pakistani e Avganistani kanë arritur në Maqedoni për të mbuluar vendet e zbrazura.
Gjithsesi sipas Bytyqit, kjo zgjidhje nuk është e shëndetshme, por sipas tij, më së miri do të ishte rikualifikimi i fuqisë punëtore në vendin tonë duke u përshtatur nevojave moderne të tregut.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë që të gjithë ta kuptojmë se duhet të ndryshojmë sepse vendet e reja të punës kërkojnë shkathtësi të reja. Opsioni i fundit do jetë opsioni që të sjellim dikë. Në fakt ajo është opsion kalues, nuk është zgjidhje e qëndrueshme as për kompanitë e as për shtetin”, u shpreh Bytyqi.

Përndryshe në vendin tonë mbi 8 mijë kuadro me arsim të lartë presin radhë për punësim. Sipas një hulumtimi të Finance Think, pikërisht mundësitë më të mira për punësim dhe të ardhurat më të larta janë arsye pse të rinjtë e shkolluar po ikin drejt vendeve të BE-së.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Totti: Napoli është me fat që nuk ka rivalë seriozë për titull

Story i radhës

Putin paralajmëron për efektet e mundshme negative të sanksioneve në ekonominë ruse

Të fundit nga