Ministri i brendshëm Oliver Spasovski thotë se Maqedonia u bë cak i luftës hibride për shkak se është në pozitë gjeostrategjike për interesa të shumë qendrave botërore. Sipas tij, ky fakt përbën indikacion të fortë në fushën e sigurisë kombëtare, por që autoritetet vendore janë të angazhuara maksimalisht të parandalojnë më të keqën. Përmbajtja e porosive, identike edhe me vendet e tjera të rajonit. Ndërkohë ministri i jashtëm Osmani tha se i janë drejtuar NATO-s për ndihmë.
“Me rëndësi është që jemi vigjilent të reagojmë shpejtë dhe këtë po e bën policia e shtetit në çdo moment. Qëllimi është që të krijojnë frikë, pasiguri, panik, të konsumohen resurset institucionale, të rrëzohen pushtetet politike në vend. Deri më tani jemi kundërvënë suksesshëm dhe do tu bëjmë ballë sepse rruga jonë dhe ardhmëria e vendit e zgjedhin qytetarët tanë. Nuk mundet askush nga jashtë të na imponojë nëse ne do jemi pjesë e NATO-s, a do integrohemi në BE, e kështu me radhë”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i punëve të brendshme
Burimi: zhurnal.mk