Kompanitë aktive në Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik (ZZHIT) në muajin janar kanë eksporte prej gati 250 milionë eurosh, që është 8% më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit 2021, çka tregon se trendi i rritjes dhe aktivitetet pozitive ekonomike vazhdojnë edhe këtë vit. Analiza e rregullt mujore e ZZHIT-së tregon se eksportet në janar janë në të njëjtin nivel me atë të janarit 2021, dhe për 31% më shumë se në janar 2020, pra 4% më shumë krahasuar me muajin e parë të 2019-ës.
Importet në janar shënuan rënie prej 15% në krahasim me dhjetorin, që sipas analizave fillestare vjen si pasojë e ruajtjes së inventarëve nga kompanitë në periudhën e kaluar. Importet e kompanive në zona në janar arritën në 204 milionë euro, që është 17% më pak krahasuar me janarin e vitit të kaluar, por 33% më i lartë krahasuar me janarin 2020, ose 6.5% krahasuar me janarin 2019.
Nga analiza rezulton se në muajin e parë të vitit është regjistruar niveli më i lartë i eksporteve neto prej 21.5%. Ka një rritje prej 1.5% të numrit të të punësuarve në janar krahasuar me dhjetorin, që është mbi 14 mijë.
Ndryshe, aktivitetet ekonomike në ZZHIT në vitin 2021 arritën nivelin më të lartë që nga ekzistenca e Zonave, me 3 miliardë eksporte për një vit. Në të njëjtën kohë, janë arritur marrëveshje për investime në vlerë të përgjithshme prej 188 milionë eurosh, të cilat duhet të sjellin 2.700 vende të reja pune.
Duke qenë se shumica e këtyre projekteve janë planifikuar të fillojnë me prodhim këtë vit, trendi pozitiv i aktiviteteve ekonomike në zona pritet të vazhdojë edhe këtë vit dhe të tejkalohen rezultatet e arritura deri më tani.