Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Sipas MINT ky vendim është marrë për shkak se nga monitorimi në terren është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.
“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Vendimi është bazuar në monitorimin e rregulltë të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.
Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në vendim.
Sipas njoftimi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka caktuar marzhën e fitimit prej 2 centë për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë pompave të derivateve.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.