Në Tiranë, Kuvendi përfshiu sot për votim në seancë plenare dy raportet e Këshillit të Imunitetit mbi mocionet e pavlefshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Raporti i shumicës parlamentare propozon që çështja e saj të mos dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa raporti i opozitarëve kërkon që konflikti i interesit, ku, sipas tyre, është përfshirë ministrja e jashtme Xhaçka, duhet të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese.
Një grup deputetësh të opozitës i kanë kërkuar Kuvendit, që dy raportet pro dhe kundër zonjës Xhaçka të shqyrtohen me debat në seancë plenare.
Opozita vlerëson se deputetja Olta Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, teksa bashkëshorti i saj, si investitor strategjik, po ndërton një objekt turistik, duke shfrytëzuar hapësirën publike të bregdetit përpara ndërtesës.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se deputetja Xhaçka e shmangu duke shtyrë disa herë ballafaqimin me pyetjet e deputetëve, madje kjo nuk ndodhi as me avokatin e saj që e përfaqësoi në një mbledhje të këshillit të mandateve.
“Nuk kërkohet thjesht një lexim i dy raporteve të njërës apo tjetrës palë, por kërkohet debat. Çështja e mandatit të një deputeti, ministres në këtë rast, si dhe çështja e konfliktit të interesit, që parlamenti dhe anëtarët e tij nuk duhet të jenë në shkelje të Kushtetutës, është një çështje publike. Publiku duhet të marrë vesh dhe të kuptojë nëse deputeti është në konflikt interesi. Por si mund ta bëjmë këtë, duke na mbyllur gojën dhe duke mos pranuar debat?”, tha zoti Alibeaj.
Por drejtuesja e seancës, zëvendës kryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj, tha se kërkesa e opozitës për debat nuk është në përputhje me rregulloren.
Në seancë kalojnë për votim dy raportet e përgatitura nga dy relatorët, pro dhe kundër, tha ajo, dhe se bazuar në rregullore si dhe në traditën shumëvjeçare të veprimtarisë parlamentare, raporte të tilla mbi mandatet dhe imunitetin kalojnë pa debat në Kuvend.
“Asnjëherë në këtë parlament, edhe kur keni qenë ju në pushtet apo ne në opozitë, si kur kërkesat janë bërë për deputetë të opozitës apo të pushtetit, asnjëherë nuk ka patur debat. Ajo që është lexuar në seancë ka qenë raporti i këshillit, ose raportet e këshillit, dhe ato janë votuar. Madje rregullorja shprehet qartësisht se debat për këtë çështje nuk bëhet jo vetëm në Kuvend, por as në këshillin për rregulloren dhe mandatet”, tha zonja Felaj.
Nga këshilli parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin erdhën në Kuvendin me shumicë socialiste dy raporte pro dhe kundër, nga socialistët dhe demokratët lidhur me mocionet për mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Raporti i opozitës thekson se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vet, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik.
Ndërsa sipas socialistëve, ky rast nuk ka të bëjë me konflikt interesi, dhe propozojnë në raportin e tyre, që mocionet e opozitës të mos i përcillet Gjykatës Kushtetuese, sepse shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka do të ndërtojë me leje në një truall privat dhe nuk ka ndonjë kontratë me institucione për të përfituar nga prona publike.
Shoqëria e bashkëshortit të ministres Xhaçka shtatorin e vitit të kaluar përfitoi statusin e investitorit strategjik si dhe të drejtën e përdorimit për një periudhë 30 vjeçare të bregut të detit pranë hotelit turistik, prej 10 mijë 500 metra katror në një truall pronë private në Himarë.
Për menaxhimin e stacionit të plazhit në bregdetin përpara kompleksit, shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka ka një marrëveshje bashkëpunimi me një shoqëri me përvojë në këtë fushë.
Kjo shoqëri, e cila ka po ashtu statusin e investitorit strategjik, është në pronësi të partneres së vëllait të deputetes Xhaçka.
Deputetët socialistë, pritet të votojnë raportin e tyre, pro deputetes Xhaçka, por opozita ka deklaruar që edhe pas kësaj ata do ta dorëzojnë çështjen në Gjykatë Kushtetutese, për të shqyrtuar kompetencat e Kuvendit në këtë çështje./VOA