Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjen kryesore të gjysmëfinales, Manchester City – Real Madrid.
Të dyja ekipet janë të vendosura për ta prekur finalen e madhe dhe për ta çuar në fund lart trofeun e çmueshëm të Championsit.
Kjo përballje do të jetë mjaft e paqartë dhe premton spektakël pasi do të përballen dy prej klubeve më të mira në botë dhe me dy trajnerët më të mirë në botë të momentit, të gatshëm ta sfidojnë njëri tjetrin për 180 minuta apo më shumë.
Kjo do të jetë hera e shtatë që takohen këto dy skuadra në kompeticione evropiane.
Gjithçka është e barabartë në mes tyre, pasi skuadrat i kanë nga 2 fitore, 2 barazime e 2 humbje.
City e kërkon finalen e dytë radhazi të Championsit dhe trofeun e parë.
Kurse, Reali do të mundohet ta fitojë Championsin për herë të 14-të në histori të tij.
Guadiola nuk do të mundë të llogarisë në John Stones, ndërsa në dyshim është Kyle Walker, që ka ushtruar pak në ditët e fundit.
Sidoqoftë, mbrojtësi i djathtë mund të luajë, së bashku me ukrainasin Zinchenko në të majtë dhe dyshen e qendrës së mbrojtjes, Dias e Laporte.
Në mesfushë do të luajnë titullarë Bernardo Silva e Kevin de Bruyne, kurse prapa tyre “regjisori” Rodri.
E në Sulm, Raheem Sterling është favorit ndaj Gabriel Jesus, kurse në krahë do të luajnë Foden dhe Mahrez.
Nga ana tjetër, Reali nuk do të mundë të llogarisë në Casemiron, e në vend të tij do të luajë i riu Eduardo Camavinga, përkrah dyshes së mrekullive, Toni Kroos e Luka Modric.
David Alaba po ashtu është i lënduar, ndërsa në qendër do të luajnë Nacho së bashku me Militaon, në të djathtë Carvajal e në të majtë Marcelo, duke e pasur parasysh suspendimin e Ferland Mendyt.
Kurse, në sulm përsëri në bankinë do të jetë Rodrygo, që mund të inkuadrohet në lojë ndërkohë.
Valverde pritet të luajë prapa dyshes së sulmit, Vinicius Junior – Karim Benzema, i cili po e kalon një sezon të jashtëzakonshëm.
Ndeshja ndërmjet Manchester Cityt dhe Real Madridit do të fillojë në orën 21:00.