Rey Manaj rikthehet te Barcelona. Mediat italiane kanë njoftuar se sulmuesi i Kombëtares sonë nuk do të vijojë që të jetë më pjesë e Spezias, edhe pse ndihmoi këtë skuadër për të siguruar mbijetesën.
Manaj ishte dhënë në huazim nga Barcelona për këtë sezon me të drejtën e blerjes së kartonit të tij për 2,7 milionë euro në fund të këtij sezoni. Por klubi italian ka vendosur që të mos ushtrojë të drejtën e blerjes së Manajt, duke lejuar kështu kthimin e tij në radhët e klubit katalanas.
“Spezia nuk do të aktivizojë opsionin për të blerë Rey Manajn, i cili do të kthehet te Barcelona”, shkruante në rrjetet sociale eksperti i merkatos, Nicolo Schira.
Manaj do të nisë sezonin e ri në radhët e katalanasve, dhe më pas do të vendosë nëse do të mbetet te ekipi katalanas apo do të nisë sërish një aventurë të re.