Shkolla e mesme në fshatin Gruemirë, në Malësinë e Madhe ka rënë pre e një grabitjeve gjatë natës së të martës.
“Kemi bërë konstatimet e para dhe kemi vënë re që përveç derës së drejtorisë janë dëmtuar edhe dyert e klasave dhe magazinave. Gjithashtu ishte shpërthyer me dhunë edhe kasaforta e shkollës por fatmirësisht nuk janë prekur dokumentet dhe regjistrat. Janë vjedhur laptop, kompjuterë, pajisje videoprojektor”, tha drejtori i shkollës, Nikolin Sterkaj.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka njoftuar se ka arritur të arrestojë një të ri i cili dyshohet se furnizonte personat apo grupet kriminale, me mjete për të kryer krime kundër personit dhe pronës, si dhe një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit Ragip Gila, ku kanë gjetur dhe sekuestruar shtatë jelekë antiplumb, dy palë doreza, tri maska, dy paruke, municion luftarak, një kokore metalike, një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.