Rritja e përdorimit të makinave elektrike në vend ka bërë që gradualisht të investohet në drejtim të stacioneve të karikimit që i përgjigjen kësaj tendence. Por ende shpërndarja e tyre sidomos në disa rajone mbetet e ulët.
Enti Rregullator I Energjisë në raportin vjetor të vitit të shkuar raporton se megjithëse Shqipëria ndodhet ende në fazat fillestare të tranzicionit drejt elektromobilitetit, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), numri i automjeteve elektrike në vend është katërfishuar gjatë vitit të fundit, duke treguar një interes në rritje nga konsumatorët.
“Ky zhvillim ka sjellë edhe një zgjerim të infrastrukturës së karikimit në vend. Kështu rezulton se gjatë vitit 2024 janë instaluar për herë të parë 63 njësi karikimi, ndërsa përgjatë vitit 2023, janë instaluar vetëm 26 të tilla” thuhet në raport.
Por ku ndodhen në fakt njësitë e karikimit në gjithë vendin sipas të dhënave të ERE.
Konkretisht në 2024 në Tiranë në total janë 119 kontrata për stacione karikimi, me fuqi të instaluar totale prej 19,383 kW, në Durrës janë 10 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar me fuqi të instaluar prej 1,046 kW, në Shkodër janë 9 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 464 kW, në Elbasan janë 8 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 1,505 kW, në Gjirokastër janë 7 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 709 KW, në Burrel janë 6 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 645 kW, në Berat janë 5 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 1,060 kW, në Fier janë 5 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 701 kW, në Korçë janë 5 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar 398 kW, në Vlorë janë 4 kontrata për stacione karikimi me fuqi të instaluar prej 716 kW.
“Në total në Republikën e Shqipërisë janë regjistruar gjithsej rreth 178 kontrata për stacione karikimi me një fuqi të instaluar totale prej 26,627 kWh.
Në këtë drejtim, Enti Rregullator i Energjisë në kuadër të draftimit të ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike ka adresuar nevojën e trajtimit ligjor të kësaj kategorie të re konsumatori/operatori për qëllime të rregullimit të tyre në drejtim të lejeve që lidhen me lidhjen me rrjetin, licencimin, tarifimin dhe trajtimin e tyre sipas rregullimeve në legjislacionin e BE-së“, vlerëson raporti.
/Monitor
Burimi: pcworld.al