Në muajin Korrik, Samsung nisi testimin e një funksionaliteti privatësie në modelet Galaxy S21 në Kore. Quajtur “Maintenance Mode”, me këtë mjet përdoruesit mund të siguronin informacionet personale përfshirë foto, mesazhe dhe kontakte kur e dërgojnë telefonin për riparim.
Duke filluar nga dita e sotme, kompania filloi lançimin e Maintenance Mode në pajisjet Galaxy me One UI 5. Një disponueshmëri më e gjerë pritet të vijë në 2023.
Përdoruesit e Galaxy S22 do të jenë të parët që kanë akses në këtë funksionalitet. Pasi të ketë mbërritur përdoruesit do ta gjejnë funksionin në seksionin “Battery and Device Care” në menunë Settings.
Do të krijojë një llogari më vete në telefon për një teknik i cili mund ta përdorë ndërsa punon për riparimin e telefonit.
Përveç mbrojtjes së të dhënave personale, Maintenance Mode nuk lejon një teknik të shikojë çfarë aplikacionesh ke të instaluar në telefon. Ata mund të përdorin Galaxy Store për të shkarkuar aplikacionet që duan por në momentin që mbarojnë punë, telefoni automatikisht fshin të dhënat e gjeneruara prej tyre. /PCWorld Albanian