Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale franceze që do të zhvillohen në prill.
Macron njoftoi kanditaturën e tij për zgjedhjet presidenciale 2022 me anë të një “letre drejtuar francezëve”.
Në letër ai ka përmendur sfidat me të cilat është përballur vendi në mandatin e tij të parë presidencial.
“Gjatë pesë viteve të fundit, ne jemi përballur me shumë sprova së bashku. Terrorizmi, pandemia, lufta në Evropë: rrallë herë Franca është përballur me një grumbullim të tillë krizash,” niste letra, e cila u botua në disa gazeta.
Ne nuk kemi pasur sukses në gjithçka. Ka zgjedhje që me përvojën që kam fituar, pa dyshim që do t’i bëja ndryshe. Por transformimet e ndërmarra gjatë këtij mandati na kanë mundësuar shumë prej nesh të jetojmë më mirë dhe Franca të fitojë pavarësinë. Dhe krizat që kemi përjetuar, dy vitet e fundit tregojnë se kjo është rruga që duhet ndjekur. Kërkoj besimin tuaj për një mandat të ri si president i Republikës. Unë jam kandidat për t’iu përgjigjur sfidave të shekullit. Unë jam kandidat për të mbrojtur vlerat tona…Unë jam kandidat për të vazhduar. për të përgatitur të ardhmen e fëmijëve tanë dhe nipërve tanë”.