Presidenti francez Emmanuel Macron ka nënshkruar sot protokollin që Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike, është bërë e ditur nga zyra e liderit francez.
“Ky vendim që Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen NATO-s, do të forcojë sigurinë e tyre para kërcënimeve që mund t’ju vijnë dhe do t’i kontribuojë qëndrimit të përbashkët dhe sigurisë evropiane”, u tha ndër tjera në kumtesën nga pallati presidencial.
E njëjtë ka vepruar disa ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili nënshkroi protokollin për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Në anën tjetër, paralajmërimi i këtyre dy vendeve nordike pati alarmuar Rusinë, e cila menjëherë filloi me kërcënime, megjithatë në fund gjithçka shkoi siç ishte planifikuar.
Ndërkaq Turqia që në fillim kundërshtonte pranimin e këtyre dy vendeve si anëtare të NATO-s, pati nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që i hapi rrugës procesit të anëtarësimit.
Ky vendim është duartrokitur dhe mirëpritur nga liderët e vendeve perëndimore, duke bërë të ditur se veprimi i Turqisë dhe presidentit të këtij vendi Recep Tayyip Erdogan, është një veprim i mençur.