Presidenti i Francës Emmanuel Macron deklaroi sot pas bisedimeve me liderët rusë dhe ukrainas ai ka parë gjetjen e një rruge drejt zbutjes së tensioneve.
Si Zelensky ashtu edhe Vladimir Putin, të cilin Macron e takoi të hënën, thanë se mbetën të përkushtuar ndaj marrëveshjeve të paqes të Minskut të vitit 2015 për konfliktet separatiste të vendit, tha lideri francez, transmeton France 24.
Macron tha sot në Kiev se Putin i tha atij se nuk do të kontribuonte në përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës ukrainase.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me presidentin Volodymyr Zelensky, Macron tha se Putin i tha atij gjatë një takimi pesë-orësh në Moskë dje se ai “nuk do të iniciojë një përshkallëzim” dhe shtoi se ai “mendon se është e rëndësishme”.
Kremlini ka mohuar më parë akuzat se Macron dhe Putin arritën një marrëveshje për de-përshkallëzimin e krizës në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “në situatën aktuale, Moska dhe Parisi nuk mund të arrijnë asnjë marrëveshje”.
Sipas Macron, Putin i tha gjithashtu dje se nuk do të ketë “baza të përhershme (ushtarake)” ose “vendosje (forca)” ruse në Bjellorusi, ku Rusia dërgoi një numër të madh ushtarësh për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake.
Peskov tha se Rusia gjithmonë kishte planifikuar tërheqjen e ushtarëve nga Bjellorusia pas stërvitjes ushtarake.
Në një konferencë me Macron, Zelensky tha se ai do të mirëpriste hapat konkretë të Putinit drejt de-përshkallëzimit, duke shtuar se ai “nuk beson në fjalë në parim”.
Ai e quajti bisedën me Macron “shumë të frytshme”.
“Ne kemi një qëndrim të përbashkët me presidentin Macron për kërcënimet dhe sfidat ndaj sigurisë së Ukrainës, të gjithë Evropës, botës”, tha Zelensky.
Ai deklaroi se Franca po jep 1.2 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën dhe po ndihmon në rindërtimin e infrastrukturës në lindje të vendit, e cila u shkatërrua nga lufta.
Macron u takua me Zelenskyn sot në Kiev, ndërsa frika për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës po rritet. Moska ka vendosur më shumë se 100.000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, por këmbëngul se nuk po planifikon një sulm.
Kremlini po i kërkon Perëndimit garanci që NATO nuk do të pranojë Ukrainën dhe ish-republikat e tjera sovjetike në anëtarësim, se do të ndalojë vendosjen e armëve në ato vende dhe se do të tërheqë forcat nga Evropa Lindore, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk bien dakord ndaj atyre kërkesave.
Macron tha sot se si Putini ashtu edhe Zelensky i konfirmuan atij se janë të gatshëm të zbatojnë marrëveshjet nga Minsku, qëllimi i të cilave është t’i jepet fund konfliktit në Ukrainën lindore.
Ai tha se këshilltarët e presidentëve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës do të takohen të enjten në Berlin dhe do të diskutojnë hapat e ardhshëm.
Dialogu është mënyra e vetme për të lehtësuar tensionet, por do të duhet kohë për të arritur rezultate, tha Macron.
Udhëheqësit perëndimorë janë angazhuar në një sërë përpjekjesh diplomatike javët e fundit, duke shpresuar të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të parandalojnë një sulm nga Rusia.
Bisedimet e nivelit të lartë u mbajtën gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Bjellorusisë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi sot se gjashtë anije të mëdha zbarkimi po lëvizin nga Mesdheu në Detin e Zi për stërvitje.
Biseda e Macron me Putin zgjati më shumë se pesë orë dje dhe lideri francez më vonë u tha gazetarëve se ai nuk priste ndonjë “gjest” nga Putin, duke deklaruar se qëllimi i tij ishte “të parandalonte përshkallëzimin dhe të hapte perspektiva të reja” dhe se ky qëllim është arritur.
Pas takimit, Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja injoruan kërkesat e Moskës, por tregoi gatishmërinë e tij për të vazhduar negociatat me Perëndimin.
Presidenti amerikan Joseph Biden u takua dje në Uashington me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili do të jetë në Kiev dhe Moskë më 14 dhe 15 shkurt.
Biden premtoi se gazsjellësi ruso-gjerman, Nord Stream 2, i cili ka përfunduar por nuk është vënë ende në funksion, do të bllokohet nëse Rusia pushton Ukrainën.
Një bllokadë e gazsjellësit do të shkaktonte dëm ekonomik për Rusinë, por gjithashtu do të shkaktonte probleme furnizimi për Gjermaninë.
Scholz paralajmëroi rusët se në rast të një pushtimi, “mund të ndodhë shumë më tepër se sa ata llogaritnin”.