Rahoveci ka dominuar stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll. E mbylli edicionin pa humbje të pësuar, ndërsa e kishte vetëm një barazim me Kastriotin.
Në plejof “vreshtarët” startojnë nga pozita e parë dhe synojnë ta mbrojnë titullin e kampionit.
Por fillimisht gjithë fokusin e kanë te turneu final i Kupës së Kosovës, që zhvillohet në fundjavë në Ferizaj.
Në gjysmëfinale të Kupës, të shtunën nga ora 20:00, Rahoveci luan me Kastriotin.
Mali Luzha ka pasur ngritje të hovshme këtë edicion dhe pritjet prej tij janë shumë të mëdha. Aloja e Rahovecit është optimist para udhëtimit në Ferizaj.
Rahoveci ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës, ndërsa është në kërkim të Kupës së parë.
“Jemi të motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në turneun e Kupës së Kosovës.
Kjo garë është e rëndësishme për ne dhe e shohim si një mundësi të madhe për të treguar kualitetin dhe forcën tonë si skuadër.
Forma jonë e deritashme, ku nuk kemi pësuar asnjë humbje gjatë gjithë edicionit në Superligë, është dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhshme të ekipit, stafit dhe gjithë klubit.
Kjo na jep dhe motiv shtesë për të synuar trofeun e Kupës”, ka thënë Mali Luzha.
Ai luan te Rahoveci së bashku me vëllaun, portierin Arti Luzha.
Burimi: botasot.info