Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Lushtaku, në një konferencë për media, tha se Gjykata Kushtetuese ka bazë të mirëfilltë që ta pezullojë këtë ligj pasi sipas tij ka katër pika ku ka shkelje.
“Realisht në këtë fundvit nuk do duhej të jetë, por pe përmbyllim këtë vit me një paraqitje tjetër në Gjykatën Kushtetuese ku mendojmë se do të ketë edhe një shkelje të radhës të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Sot me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për kushtetutshmërinë e ligjit për zyrtarët publikë që ne mendojmë që kanë bërë një shkelje të radhës të Kushtetutës. Janë shkelur dinjiteti i nëpunësve publikë dhe civilë dhe prandaj kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji t’i paraqesim këtu”.
“Ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese të pezullojë ligjin për zyrtarët publikë”, tha Lushtaku.
Mes tjerash, Lushtaku tha se vitin 2022 e kemi nisur mbrapsht pasi Qeveria Kurti në shumë aspekte ka dështuar.
“Vitin 2022 e kemi filluar mbrapsht pasi Qeveria Kurti dhe mazhoranca në çdo aspekt ka dështuar në pjesën kryesore të qeverisjes, implementimin e planit të veprimit dhe prioritetet e saj. Ka dështuar në ndihmesën e qytetarëve dhe kemi krizë të thellë ekonomike”, u shpreh Lushtaku.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ditë më parë e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publikë ku 62 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e tij dhe prej tyre 58 kanë votuar për, dhe katër kanë abstenuar.
Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.
Lidhur me ligjin për zyrtarët publikë të miratuar në Kuvend, kanë reaguar nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të këtij ligji.