Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, ka drejtuar gisht kah qeveria për të cilën tha se ka buxhet por s’ka guxim me bë zgjidhje të problemeve.
Lushaku – Sadriu tha se kur e gjithë bota flet për krizë energjetike, në Kosovë nuk po merren masa parandaluese.
“Krejt kjo, me paratë tona, me çmimet më të shtrenjta e duke na lenë në terr”, shkroi ajo mbi postimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kujtojmë se më herët, i pari i LDK-së tha se Kosova s’ka rrymë pasi që sipas tij, Blloku A5 i KEK-ut nuk e ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë.
“Sot, nga 130 MWh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë”, shkroi Abdixhiku.